Njohësi i çështjeve juridike, Mazllum Baraliu, ka thënë se ajo çfarë po i kërkohet Kosovës është që Serbia të ketë hise në atë se çfarë vendimesh duhet të nxjerrë Banka Qendrore e Kosovës (BQK).
Të hënën në “Interaktiv” të KTV-së, derisa ka folur për kërkesat e ndërkombëtarëve për shtyrje të ekzekutimit të vendimit të BQK-së që parasheh që nga 1 shkurti transaksionet me para të gatshme kudo në Kosovë të bëhen me euro, gjë që i jep fund edhe përdorimit të dinarit serb, Baraliu ka thënë se Bashkimi Evropian po flet me të njëjtën gjuhë të cilën e përdor presidenti serb, Aleksandar Vuçiq në Beograd.
“Me intonacionin e njëjtë me të cilin flet Vuçiqi në Beograd, të njëjtën gjë e thotë Peter Stano në Bruksel, të njëjtën gjë përafërsisht e thonë edhe ata në Washington, të cilët në fakt nuk janë të angazhuar siç është BE-ja. Mendoj që po kërkohet diçka më tepër. Ata po kërkojnë që kjo të shtyhet për një afat të pacaktuar, siç kanë ditur t’i shtyjnë marrëveshjet tona në favor të Serbisë gjatë këtyre 13 vjetëve, vetëm të bëhet pjesë e dialogut, pra të ketë hise Serbia se çfarë vendimi mund dhe duhet të nxjerrë Banka Qendrore e Kosovës, pra në çështjet absolutisht interne të saj, që është e garantuar me Kushtetutë dhe ligje të Kosovës, të këtij institucioni të pavarur”, ka thënë ai.
VIDEO:
Ai ka thënë se do të ishte ndërhyrje e drejtpërdrejt në rast se BQK-së do t’i bëhej presion lidhur me shtyrjen e këtij vendimi.
“Ku është parimi i sundimit të ligjit që është bazik? Kjo është në kundërshtim jo vetëm me Kushtetutën, por edhe me ligjin pasi që është ndërhyrje direkte. Do të ishte ndërhyrje e drejtpërdrejt dhe shkelet ligji nga kushdo qoftë, edhe nga Qeveria nëse interferon, bën presion dhe e detyron autoritetin bankar sepse ekzistojnë organet tjera plotësisht të pavarura me të cilat merren vendimet në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin. Nëse i nënshtrohen presionit politik, atëherë nuk duhet pranuar në asnjë mënyrë”, ka thënë ai.
Baraliu ka shtuar se Qeveria nuk duhet të diskutojë me Serbinë për çështjet e brendshme të Kosovës.
“Me Serbinë si palë e pabarabartë nuk duhet dialoguar. Ose duhet biseduar si palë e barabartë atje, ose duhet lënë kjo punë, sepse dialogu nuk është jetik për Kosovën, jetike janë çështjet e brendshme të vendit”, ka theksuar ai.
Baraliu: Serbia, vendi më i militarizuar në Ballkan
Njohësi i çështjeve juridike, Mazllum Baraliu, ka thënë se Serbia është vendi më i militarizuar në rajon.
Sipas tij, derisa Kosovës i kërkohet për më shumë se një dekadë për ta krijuar ushtrinë, fqinji verior armatoset në mënyrë disproporcionale.
Baraliu ka thënë se NATO-ja është e vetëdijshme për këtë, pasi e ka një bazë në Serbi.
“Serbia është vendi më i militarizuar në Ballkan dhe edhe në praninë e NATO-s, e cila ka një bazë në Serbi, armatoset në mënyrë disproporcionale ndërkaq Kosovës i kërkohet 10 vjet që të bëhet ushtri”, është shprehur ai.
VIDEO: