Qasja e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës do të duhej të ishte ndryshe, ka thënë profesori i çështjeve juridike, Mazllum Baraliu. Ai e sheh të padrejtë që Kosova të kushtëzohet me themelim të Asociacionin për anëtarësimin në Këshillin e Evropës.
Baraliu në “Interaktiv” në KTV ka theksuar se kërkesa e BE-së për Asocacionin është e pashembullt në marrëdhëniet mes shteteve normale.
“Kjo politikë e ndërhyrjeve të kërkesave, koncesioneve të vazhdueshme për të dhënë çdo gjë të, për të mos marrë asgjë, vetëm Kosovës po i ndodhë dhe kjo nuk i bën nder askujt. Atë që po kërkon Evropa është që Kosova të japë gjithçka, të mos marrë asgjë. Sepse ajo që po e lidhin me Asociacionin është thembër e Akilit, që nënkupton ekzistencën dhe ardhmërinë e Kosovës. Nëse e kërkojnë atë, këtë po e bënë BE dhe është e pashembullt në marrëdhëniet ndërkombëtare mes shteteve normale. Po kërkohen koncesione që e invalidojnë shtetin e Kosovës për të mos marrë asgjë, as shtet kandidat për BE”, ka thënë ai.
Megjithatë, kushtëzimi i BE-së me Asociacion, Baraliu ka thënë se është “kushtëzim klasik i shumëfishtë”.
Pas njoftimit nga ministrja e Jashtme e vendit se të martën nisi një sulm hibrid ndaj Kosovës, Baraliu ka thënë se Rusia mund të provojë sërish në vijim të kryejë sulme kibernetike.
“Sulmet hibrikde të Rusisë janë të intensifikuara që nga viti 2014. Kanë vazhduar edhe në vigjilje të një procesi të rëndësishëm ku jemi, regjistrimi i popullsisë. Rusia është e njohur me këto ekipe të ndryshme qëllimkëqija të luftës kibernetike dhe sot kanë provuar, por nuk ia kanë arritur. Institucionet janë përgatitur mirë, nuk do të thotë se nuk do të provojnë sërish”, ka thënë ai.