Banorë të disa fshatrave të Komunës së Podujevës po kërkojnë që vendi “Te pishat e Shakovicës” të shpallet park rajonal.
Iniciativën për këtë e ka marrë kryetari i Këshillit Drejtues të shkollës “Ilir Konushefci” në fshatin Lluga, Hysni Zhitia, i cili ka thënë se më herët shkollat e kësaj ane deri në klasën e tetë të gjitha shëtitjet i organizonin këtu.
Sipas tij, ka disa vjet që kjo nuk ndodh për shkak të mungesës së infrastrukturës rrugore.
“Tash si ambient është bërë i pashfrytëzueshëm, është mbushur me thera dhe nuk është pastruar asnjëherë. Ky si park regjional, si e kemi mendua ne, ia vlen shumë sepse këtu ka pisha diku 50-vjeçare, është një lartësi mbidetare bukur e mirë, është gjelbërimi, është natyra, ajri, të gjitha janë”, ka thënë Zhitia.
Iniciativën e tij po e përkrahin edhe banorët tjerë.
“Do të propozoja që të ndreqet ky park, është vend i mirë, ajri i pastër, dalin të moshuarit, të rinjtë. Për me dalë tash nuk është e përshtatshme, pasi duhet të rregullohet rruga. Nëse do të investohej do të ishte shumë mirë”, ka thënë banori Ismet Isufi.
Ndërkohë, Zhitia ka theksuar se kërkesa e dorëzuar në Komunë është nënshkruar edhe nga shtatë kryetarë tjerë të këshillave drejtues të shkollave përreth.
Drejtori për Planifikim Urban dhe Mbrojtje të Mjedisit, Bujar Hasani, e ka quajtur të arsyeshme kërkesën e banorëve. Ka shtuar se në mungesës të mjeteve, e kanë të pamundur realizimin e këtij projekti.
“Kemi qenë në vizitë me kryetarit diku para 2-3 muajve përafërsisht, e kemi vizituar parkun e Kërpimehut, parkun e Dobërdolit, ka nevojë për shumë investime në gjithçka, duke filluar prej infrastrukturës për këmbësorë, ndriçim, ulëse, krejt çka i përmban një park ka nevojë për investim”, është shprehur Hasani.
Ai ka theksuar se do të kërkojnë ndihmë financiare edhe nga niveli qendror për t’i ndërtuar disa parqe në Komunën e Podujevës, duke përfshirë edhe këtë në Shakovicë.