Arbëri

Banorët ankohen për rrugën e papërfunduar të fshatit Kushevicë, Komuna nuk ka mjete

Rreth 2 kilometra të rrugës në fshatin Kushevicë në Podujevë janë bërë pothuajse të pakalueshme për banorët. Ata ankohen se shkaku i mosriparimit të saj po u shkaktohen vështirësi në qarkullim. E zyrtarët e komunës kanë thënë se nuk pritet që gjatë këtij viti të bëhet asfaltimi i kësaj pjese, pasi po presin mbështetje financiare nga Ministria për të përfunduar pjesën e mbetur pa asfalt

Avdyl Halili, nga fshati Brainë detyrohet që me kombibusin e tij ta përshkojë disa herë në ditë këtë shteg të baltosur rruge për t’i bartur nxënësit e fshatrave Kushevicë dhe Nishefc të Podujevës deri në shkollën e tyre në Orllan.

Dy kilometrat e kësaj rruge në Kushevicë janë bërë pothuajse të pakalueshëm qëkur institucionet lokale nuk e vazhduan asfaltimin e rrugës që e lidh Komunën e Podujevës me atë të Prishtinës.

Halili thotë se si pasojë e gjendjes së rrugës, që nga dhjetori i shkuar i janë prishur dy motorë të kombibusit dhe ka pasur edhe dëme të tjera.

“Pjesa e mbetur e rrugës, e cila nuk është intervenua në të, është në gjendje të mjerueshme, e pakalueshme, e cila po më krijon mua më së shumti telashe, se unë katër herë e përdori në ditë dhe po kam telashe me atë rrugë. Është rast emergjent që duhet me intervenua menjëherë. U dashtë moti, po s’di çka u vonua kjo punë. Kërkesa kanë çua banorët”, ka thënë Avdyl Halili, bartës i nxënësve.

Në hall më të madh me rrugën janë banorët e fshatit. Njëri prej tyre, Ali Haliti, thotë se një pjesë e banorëve janë zhvendosur vetëm shkaku i rrugës.

“Kemi nxënës në shkollë, kemi njerëz të sëmurë këtu ma ju i pat edhe vetë, do të varfër, jemi t’qituhit, kishim ba apel nëse ka mundësi me dalë e ma pa e ma na ndihmua sado-kudo pak. Se një punë çka po shihet, nuk kemi çka flasim, po flet kjo vetë”, ka thënë Ali Haliti, banor i fshatit Kushevicë.

“Mundësisht kush çka mundet le të qet nga një guri se vallahi neve na SHPëTON. Edhe është sikur kur e maron, thoshin pleqtë ktynehere, një xhami diku e një hajrat, qashtu është me shtrua, se qe ma së pari varret ku janë kah me hy në këto të shkreta”, ka thënë Adem Osaj, banor i fshatit Brainë.

E në Komunën e Podujevës thanë se ka pak gjasa që rruga të asfaltohet brenda këtij viti.

Drejtori për Planifikim Urban dhe Mbrojtje të Mjedisit, Leutrim Krasniqi, thotë se autoritetet komunale janë në pritje të mbështetjes financiare nga niveli qendror.

“Kemi iniciuar një kërkesë në drejtim të Ministrisë për mbështetje financiare për pjesën e mbetur të rrugës, që veçse rëndësia e kësaj rruge është mjaft e madhe, duke parë aspektin e lidhjes së dy komunave, Komunës së Podujevës dhe Komunës së Prishtinës, pra fshatin Kushevicë dhe fshatit Nishefc”, ka thënë Krasniqi.

E në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës nuk u janë përgjigjur prej ditësh pyetjeve të KOHËS lidhur me rastin.