Prej pesë ditësh derisa qyteza e Janjevës është futur në karantinë për shkak të rastit të parë me virusin COVID-19, banorët e saj po përballen me mungesë të medikamenteve (barnatoreve) dhe furnizimit me ujë të pijshëm.
Ndërkohë sipas zyrtarëve komunal në Lipjan, gjatë së martës, është arritur një marrëveshje me një operator për t’ia lejuar hapjen e një barnatore private brenda këtij fshati. Po ashtu, edhe furnizimi me ujë të pijshëm pritet të rregullohej gjatë ditës. Përveç kësaj banorët e Janjevës po ankohen se nuk po mund t’i marrin as paratë e socialit, por as pensionet, andaj kanë kërkuar nga komuna të angazhohej për ta bërë një zgjidhje urgjente, raporton KOHA.
Skender Bikliqi, përfaqësues i komunitetit për komunitete në Janjevë, ka thënë se brenda fshatit nuk ekziston asnjë barnatore private, madje edhe stafi mjekësor në ambulantë para pak ditësh janë suspenduar nga puna për mosrespektim të orarit të punës. Sipas tij, fshati që tashmë është futur në karantinë po përballen edhe me mungesë të furnizimit të rregullt me ujë të pijshëm.
“Barnatorja private në fshat është mbyllur 2 muaj më parë, ndërkohë pas futjes në karantinë ne nuk po mund të marrim askund barna shëndetësore. Personalisht jam pensionist dhe ende nuk kam mundur t’i marrë paratë e pensionit sepse Policia nuk po lejojnë të dalim nga fshati, njëjtë po ndodh edhe me rastet sociale”, ka thënë Bikliqi.
Sipas tij, institucionet e drejtësisë e kanë marrë me shumë seriozitet çështjen e karantinës sepse nuk po e lejojnë askënd të dalë nda fshati. “Pak orë para se të futet fshati në karantinë, vajza ime ka ardhur të na vizitoi, ndërkaq fëmijët e vegjël i ka lënë në shtëpi te burri. Ndërkohë po bëhen pesë ditë që Policia nuk po e lejon të shkoi të bashkohet me fëmijët e vet. E kam njoftuar edhe komandantin e Policisë dhe komunën por nuk kanë lejuar të dalë jashtë fshatit”, ka thënë Bikliqi.
Lulzim Rrustemi, shef i grupit të këshilltarëve në KK të Lipjanit nga radhët e PDK-së, nëpërmjet një reagimi të martën ka thënë se banorët e Janjevës po përjetojnë ditë të vështira pas futjes në karantinë. Sipas tij, Janjeva si vendbanim i vjetër me popullsi të nacionaliteteve të ndryshme ka nevojë për ndihmë pasi që po përballen me mungesë të furnizimit të barnave, me mungesë të ujit të pijshëm e të domosdoshëm për mbajtje të higjienës, në mungesë të funksionimit të postës, në mungesë të institucioneve bankare etj.
“Në Janjevë një përqindje e madhe e qytetarëve jetojnë në kushte të rënda ekonomike e sociale, një numër i madh janë në lista si raste sociale, ata në këtë gjendje të izolimit total nuk po mund t’i marrin as pensionet, as pagesat e ndihmës sociale. Janjeva po ngjason në një vendbanim të harruar i boshatisur nga qytetarët që ka nevojë më shumë se kurrë për dorën e pushtetit e cila ende po mungon”, ka thënë Rrustemi.
Sipas tij, komisioni “ad-hok” i komunës për menaxhimin dhe parandalimin e virusit COVID -19 duhet të vihet në veprim konkret, të bashkëpunoj me postën dhe me institucionet bankare që t’ia mundësojnë qytetarëve të Janjevës t’i marrin paratë dhe të furnizohen me gjëra elementare për jetesë. “Po ashtu institucionet duhet urgjentisht t’i furnizojnë banorët urgjentisht me barna. Pushteti ka obligime t’i dalë në ndihmë qytetarëve të vet, jo vetëm t’i izoloj por të komunikoj, t’i vizitoj e të ofroj ndihmën e domosdoshme ta përballojnë izolimin”, ka shtuar Rrustemi.
Nga ana tjetër Imer Rrustemi, drejtor i Inspektoratit në komunën e Lipjanit ka thënë se janë marrë vesh me një kompani për ta hapur një barnatore private në Janjevë e cila edhe në të kaluarën kishte funksionuar brenda fshatit. Sipas tij edhe problemi me ujë të pijshëm është zgjidhur ndërkohë disa fshatra të tjera mund të kenë telashe me reduktime të ujit, ndërkaq janë duke u munduar ta zgjidhin edhe problemin me institucionet bankare. “Banorët e Janjevës janë në karantinë dhe duhet t’i përmbahen rregullave dhe udhëzimeve. Për raste urgjente e kanë ambulanten dhe mjekun, ndërkohë tashmë po besojmë se është hapur edhe barnatorja private e cila ka funksionuar edhe në të kaluarën. Sa i përket ujit të pijshëm nuk do të kenë më telashe sepse reduktimet do të zgjaten në disa fshatra të tjera për ta furnizuar Janjevën pa ndërprerë”, ka deklaruar Rrustemi. Ai ka njoftuar se institucionet komunale kanë bërë mjaftë shumë gjatë kësaj periudhe të përhapjes së virusit COVID-19, duke dezinfektuar institucionet, rrugët dhe hapësirat publike, ndërkohë janë duke bërë edhe përpjekje maksimale për parandalimin dhe ruajtjen e shëndetit të qytetarëve.