Qytetarët në Gjakovë ankohen se në mungesë të barnatoreve të hapura gjatë natës, mbesin pa i siguruar ilaçet që u nevojiten për trajtim. Ankesa rreth mosrregullimit të punës së barnatoreve në ndërresën e natës dhe të dielave kanë edhe farmacistët. E në Komunë kanë bërë të ditur se është duke u punuar në përpilimin e një rregulloreje që do t’u bënte zgjidhje ankesave të shprehura
Sylejman Rrustemi nga Gjakova thotë se gjatë një rasti të urgjencës në mesnatë pati mbetur pa ia siguruar bashkëshortes së tij ilaçin që i nevojitej për trajtim.
Ai thekson se barin nuk ka arritur ta blinte, pasi asnjë nga barnatoret në afërsi të Spitalit rajonal në Gjakovë nuk ishte hapur atë natë. Si pasojë e mosrregullimit të kujdestarive të barnatoreve gjatë ndërresës së natës me anë të një vendimi komunal, Rrustemi pretendon se edhe shumë qytetarë të tjerë përballen me situata të ngjashme.
“Po duhet të jetë e nevojshme të jetë 24 orë hapur. Unë mbrëmë e pata rastin dhe të gjitha kanë qenë të mbyllura mbrëmë barnatoret. Kur nuk e ka spitali duhet ta gjejmë në barnatore, të furnizohemi me ilaçe, por nuk pati as barnatore hapur dhe është dashtë të presim deri në mëngjes”, ka thënë Rrustemi.
Pos qytetarëve, ankesa kanë edhe pronarët e farmacive.
Farmacisti Ideal Zhubi, thotë se përcaktimi i punës së barnatoreve gjatë natës dhe në ditët e diel do të krijonte lehtësi dhe rregull në treg.
“Barnatoret përfitojnë nëse bëhet të kujdestarojnë të dielave edhe nga kujdestaria e natës, pasi që formohet një rregull, një orar ku barnatoret punojnë deri në orën 9-10, në bazë të marrëveshjes që bëhet dhe pastaj e kanë lirinë edhe me pushu punëtorët të dielave, sepse barnatoret me sa di unë, nuk kanë rregullore që i detyron të mbyllen të dielave, prandaj duhet punëtorët ose farmacistët të punojnë 7 ditë të javës”, ka deklaruar Zhubi.
Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ledian Rexha, thotë se subjekti i tij e ka shtruar këtë çështje në Kuvend Komunal, por që nga kjo instancë nuk është shprehur gatishmëri për trajtim.
“Si lëvizje, e kemi hapur si temë diskutimi në mbledhje të asamblesë. Herën e parë kryetari ka thënë që nuk ka bazë ligjore për ta bërë një gjë të tillë, kurse herën e dytë kemi prezantuar dokumente se si e kanë rregulluar komunat e tjera”, deklaroi Rexha.
Në Komunën e Gjakovës, drejtoresha e Shëndetësisë dhe e Mirëqenies Sociale, Adelina Shehu, bëri të ditur se është duke u punuar në përpilimin e një rregulloreje për rregullimin e punës së farmacive. Ajo ka shtuar se për raste të emergjencës, barnatorja qendrore e Spitalit i përmbush nevojat e pacientëve.
E zëdhënësi i Spitalit Rajonal, Besart Gashi, ndonëse thekson që barnatorja e spitalit i plotëson nevojat, pranon që ka raste kur disa barna e produkte farmaceutike mungojnë.