Banorët e fshatrave Bujan, Hallaq i Madh, Rufc, Ribar, Kraishtë e Bregu i Zi të komunës së Lipjanit po ankohen se prej tre ditësh nuk kanë energji elektrike si pasojë e disa defekteve në terren, ndërkohë që KEDS-i ende nuk ka arritur t’i riparojë defektet. Valdet Buja, banor nga fshati Bujan, ka thënë për KOHËN se është shqetësuese se po bëhen tre ditë që KEDS-i nuk arriti t’i gjejë defektet në terren.
Sipas tij, banorët janë ankuar disa herë, madje kanë realizuar dhjetëra telefonata por deri tash asgjë konkrete.
“U bëne tre ditë që në disa fshatra të Komunës se Lipjanit: Bujan, Hallaq i Madh, Rufc, Ribar, Kraishtë, Bregu i Zi, nuk ka rrymë eletrike për shkak disa defekteve dhe askush nuk interesohet për ta rregulluar atë. Ku është kryetari i vetëqujtur ‘kampion’ që nuk kujdeset për qytetarët e komunës që udhëheq”, ka thënë Buja.
Sipas tij edhe komuna duhet të intervenojë në këtë rast. Azem Gërxhaliu, banor nga fshati Ribar, ka thënë se KEDS-i ka thyer rekord derisa po bëhen tre ditë që nuk arriti ta rregullojë defektin e energjisë elektrike.
“Edhe katër orë po e thyejmë një rekord të ri për vitin 2021, derisa KEDS-i përveçse nuk po arrin t’i riparojë defektet e veta, nuk po e hap as telefonin për ta sqaruar situatën. Regjioni i rrjetit në drejtim të Kraishtës në të cilën janë të kyçura disa fshatra, më të vërtet na ka lodhur ky problem i rrymës”, ka thënë Gërxhaliu.
Koha ka provuar të marrë edhe një deklaratë nga zëdhënësi i KEDS-it Viktor Buzhala, por ai nuk ka qenë i qasshëm.