Bashkimi Evropian nuk është i interesuar për zgjidhje të qëndrueshme si rezultat i dialogut Kosovë-Serbi, ka thënë Bekim Baliqi, profesor i shkencave politike në Universitetin e Prishtinës.
Baliqi ka thënë të mërkurën në “60 Minuta” të KTV-së, se BE-ja është e interesuar vetëm që të mos krijohet konflikt mes Kosovës e Serbisë.
“Zgjidhjet që nuk janë të qëndrueshme nuk sjellin stabilitet afatgjatë, ndërkohë BE-ja nuk është e interesuar që të bëjë zgjidhje të qëndrueshme, por vetëm që ta ruajë stabilitetin dhe palët të mos rrëshqasin në ndonjë konflikt eventual”, ka thënë Baliqi.
Ai ka shtuar se Kosova po sillet në një rreth vicioz, pasi që kur ka nisur dialogu, 11 vjet më parë, ka pasur zgjidhje të përkohshme për shumë çështje.
Sipas tij, angazhimi i SHBA-së në fazën në të cilën ndodhet dialogu, është një garanci për Kosovën.
“Angazhimi i SHBA-së në këtë fazë është një garancë për Kosovën që marrëveshjet e tilla nuk do ta dëmtojnë pavarësinë apo shtetësinë e Kosovës. kemi parë që BE-ja ka qenë e interesuar që neutralitetin ndaj statusit të Kosovës ta respektojë më shumë se që duhet. Dyshimi jonë ndaj BE-së ka qenë gjithmonë. BE-së i mungon ai mekanizmi detyrues i marrëveshjeve. BE-ja ka arritur të imponojë marrëveshje mirëpo gjatë zbatimit të tyre nuk ka pasur mundësi t’i kontrollojë”, është shprehur Baliqi.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur të mërkurën për takimin e nivelit të lartë më 18 gusht në Bruksel, duke thënë se në këtë takim ka shkuar me propozime konkrete. Ky sqarim nga ana e tij ndodhi pas deklaratës së ambasadorit amerikan, Christopher Hill, i cili tha se pala kosovare nuk ka qenë e përgatitur në dialog.
Kurti tha se ka qenë pala serbe ajo që nuk ka sjellë ide konkrete në tavolinë.
“Së pari në Bruksel kam qenë unë dhe kam marrë pjesë në të gjitha takimet, në këto takime kam qenë kreativ, konstruktiv, i përkushtuar për dialog, për marrëveshje jo për dialog për dialog. Marrëveshja duhet të jetë ndërkombëtarisht ligjërisht e obligueshme, duhet të jetë marrëveshje finale, për normalizim të plotë të marrëdhënieve bilaterale mes dy vendeve që në qendër duhet të ketë njohjen reciproke. Unë kam shkuar me propozime konkrete. 18 gushti është dashur të mbahej më 19 korrik, unë kam qenë i gatshëm, por Beogradi ka kërkuar të shtyhej pas një muaji dhe kur ka ardhur pas në muaji nuk ka sjellë ide konkrete. Takimi ka qenë në frymë konstruktive, pozitive, mirëpo nuk ka pasur gatishmëri nga pala tjetër të bëjë asnjë lloj marrëveshje. Insistimi ka qenë që të bëjë menaxhim krize, për çështje të sigurisë e takuam një ditë para sekretarin e NATO-s”, ka thënë Kurti.
Kurti ka thënë se në bisedimet e 18 gushtit ka propozuar një kapitull për marrëveshjen e deritanishme, për t’i shqyrtuar bashkërisht pikat që sipas tij, janë të kota dhe ato që janë zbatuar, mirëpo njoftoi se kjo nuk ka qenë si pikë diskutimi në agjendën e Brukselit.
Sa i përket dokumenteve për hyrje të shtetasve të Serbisë në Kosovë, Kurti ka thënë se janë vetëm dy opsione, të mos ketë dokumente të tilla as në Serbi e as në Kosovë, ose të jenë evidente në të dyja vendet.