Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, e ka quajtur antikushtetuese projektligjin për Fondin Sovran.
Ish-ministrja e Financave, Bajrami, ka thënë se nëse projektligji aktual bëhet ligj atëherë do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese.
Ajo ka përmendur nenin 65 të projektligjit ndër të tjera, që flet për zbatimin e ligjit.
“Sot e lexova Projektligjin për Fondin Sovran që është në konsultim publik. Kam shumë vërejtje, shumë pyetje, shumë komente por mbi të gjitha me vjen sinqerisht keq për mendësinë qeverisëse të LVV-së dhe dëmet që po ia bëjnë vendit. Tentativa me kapë çdo gjë, me shpërfillë çdo procedurë, çdo ligj, për më tepër me ligj me tejkalu edhe Kushtetutën, këtë vetëm qeveria e LVV-së e bën. Që të mos ju lodhë me detajet shihni veç çka thotë Neni 65, pika 1 dhe 2 e Projektligjit për Fondin Sovran. D.m.th. ky Fondi ka me e “zhvillu vendin” duke anashkalu krejt ligjet në fuqi. Për këtë Fond, bordin dhe organet e tij, që do të emërohen nga Qeveria/LVV-ja, s’ka me pasë Ligj të prokurimit - tenderët direkt me dosta/negocim i drejtpërdrejtë, s’ka nevojë për kontabilitet, raportim financiar, ligj të punës hiç se hiç, thjeshtë duhet me qenë i pëlqyshëm për pushtetin dhe mjafton. E ja ku po them publikisht, që gjëra të tilla nuk do të lejohen. Nëse ky Projektligj bëhet Ligj kështu siç është do të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese si shumë të tjerë, sepse ‘prima facia’ ky Ligj është antikushtetues”, tha Bajrami.