Arbëri

Bajrami: E papranueshme që KE-ja po kërkon nga Mali i Zi e Maqedonia t’i vendosin viza Kosovës

Ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami, e ka vlerësuar të papranueshme dhe shqetësuese që Komisioni Evropian, ka qortuar Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut që nuk kanë vendosur regjim të vizave me Kosovën.

KE-ja u ka rekomanduar dy vendeve që të rregullojnë politikat e vizave në vijë me ato të Bashkimit Evropian.

“Absolutisht e papranueshme që Komisioni Evropian ka listuar Kosovën si një nga shtetet e botës së tretë të cilave u duhen viza, duke i kërkuar Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut të fusin regjim të vizave për Kosovën! Veçanërisht është shqetësuese pasi me vjet Kosovës padrejtësisht i është mohuar liberalizimi i vizave. Dyfish, pasi e gjithë kjo vjen pas marrëveshjeve të Procesit të Berlinit”, shkroi Bajrami në Twitter.