Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Bajram Bajrami lirohet nga autoritet kroate, ishte ndaluar me urdhërarrest të Serbisë

Pika kufitare e Karasoviqit

Pika kufitare e Karasoviqit - Kroaci

Autoritetet kroate kanë liruar shtetasin e Kosovës, Bajram Bajramin, i cili ishte ndaluar në Kroaci në bazë të një urdhërarresti ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia, lidhur me pretendime për krime lufte, ka bërë të ditur Ministria e Drejtësisë të martën. 

Ministria ka thënë se lirimi erdhi pas angazhimit të institucioneve të Kosovës dhe bashkëpunimit me autoritetet kompetente kroate.

Sipas ministrisë, Bajrami ishte ndaluar nën dyshimet për kryerjen e veprave penale të krimeve të luftës, si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, më 14 gusht i kishte dërguar një shkresë zyrtare homologut të saj kroat, Damir Habijan, duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të Bajramit dhe duke shprehur shqetësimin për përdorimin e urdhërarresteve të Serbisë ndaj qytetarëve të Kosovës”, thuhet në njoftim. 

Rasti ishte diskutuar edhe gjatë një bisede telefonike mes Gërvallës dhe Habijanit, ku, sipas Ministrisë së Drejtësisë, ishte theksuar se për veprat e pretenduara të kryera në territorin e Kosovës, kompetenca u takon institucioneve të drejtësisë së Kosovës.

Edhe Lirohet kosovari që u arrestua muajin e kaluar në Serbi nën pretendime për krime lufte Arbëri Lirohet kosovari që u arrestua muajin e kaluar në Serbi nën pretendime për krime lufte

Ministria e Drejtësisë e ka cilësuar lirimin e Bajramit si dëshmi se qytetarët e Kosovës nuk do të mbeten vetëm përballë përpjekjeve të Serbisë për ndjekjen dhe ndalimin e tyre përmes mekanizmave ndërkombëtarë.

Bajrami ishte arrestuar muajin e kaluar në pikën kufitare të Karasoviqit.