Arbëri

Bajra: Ekonomia duhet të ndahet nga politika përfundimisht

Emanuel Bajra, ekspert financiar, ka thënë se për pak vite Fondi Sovran mund të themelohet. Në emisionin “Sonte me Rronin” ka thënë se po tentohet që Kosovën ta fusin në tregjet globale.

Bajra ka shpjeguar funksionin dhe qëllimin e Fondit në të ardhmen.

“Ideja është të kemi një institucion financiar, një investues që në emër të shtetit të Kosovës të krijohen vlera të reja ekonomike. Kemi resurse ekonomike, njerëzore, kemi korporata që kanë nevojë të rikuperohen. Fondi Sovran do t’i krijojë mundësi Kosovës që t’i përmirësojë arteriet kryesore si funksionon ekonomia e ardhshme”.

Ai ka theksuar se duhet punuar në kuptim institucional që Fondi të jetë i përshtatshëm për investitorët.

Tutje ka sqaruar se Fondi Sovran do të jetë i lidhur drejtpërdrejt me ekonominë e vendit dhe se nuk do të shkojë përmes politikës.

“Ambicia është që Kosova të figurojë në tregje globale. Duhet ta trasojmë rrugën për të ardhmen”.

Bajra ka thënë se në qeveritë e kaluara nuk ka pasur vullnet politik për ta krijuar këtë fond.

“Nuk ka pasur vullnet politik. Kam takuar Haradinajn, Thaçin, e kam hapur idenë e kam diskutuar, nuk ka pasur vullnet. Nevoja për ndryshim radikal është duke u mbështetur”, ka thënë ai.

Ndërkohë ka folur për idenë e bursës së Kosovës. Ai ka deklaruar se duhet filluar menjëherë me krijimin e ligjit për bursën e Kosovës.

“Me kalimin e ligjit ne duhet ta fillojmë punën për krijimin e Ligjit për bursën e Kosovës dhe Ligjin e tregut kapital. Bursa do të jetë entitet i veçantë, do jetë kompani financiare. Ideja është se nëse i kemi 20 mijë kompani në Kosovë, ato duhet të afrohen në Bursën e Kosovës dhe aty të fillojë shkëmbimi i ideve e planeve dhe kapitalit. Ideja me bursën është që ne ta perfeksionojmë tregun tonë”.

“Mendoj se brenda 2-3 vjet fondi të jetë i themeluar, brenda 5 vjetësh bursa. Ideja është që brenda dekadës të implementojmë”.

Bajra ka deklaruar se në Kosovë duhet të ndahet përfundimisht ekonomia nga politika.

“Në Kosovë është punë perceptimi dhe interferimi politik në paranë publike pse arsyeja kemi mbetur të varfër, akoma në tranzicion. Duhet një herë e përgjithmonë ta ndajmë komercializmin, ekonominë nga politika, t’i japim ekonomisë shtytje, ta pavarësojmë makinerinë ekonomike të vendit, dhe ajo fillon nga Banka Qendrore e Kosovës”.