Arbëri

Mustafa për Fondin Sovran: Improvizim i kësaj Qeverie, s'është zhvillimor

Koordinatori i Departamentit për Financa në Partinë Demokratike të Kosovës, Arben Mustafa, ka thënë se krijimi i Fondit Sovran është improvizim i Qeverisë së udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje sepse, sipas tij, është thjesht një mekanizëm shtesë burokratik për menaxhimin e ndërmarrjeve publike.

PDK-ja ka paralajmëruar se do ta çojë në Kushtetuese posa të ratifikohet në Kuvend projektligji për Fondin Sovran. Krijimi i Fondit Sovran ishte një nga premtimet e VV-së për “reformë në ekonomi”.

Megjithatë, Mustafa i PDK-së thotë se ky nuk është një fond që synon zhvillimin, por veç do ta centralizonte kontrollin e ndërmarrjeve publike.

“VV-ja i ka bërë dy premtime në ekonomi. E para ka qenë Banka Zhvillimore, premtim prej të cilit kanë hequr dorë që nga dita e parë që kanë ardhur në pushtet. Ky ka qenë veç premtim poulist elektoral, pasi s’kanë folur më për të që kur erdhën në pushtet. E dyta është Fondi Sovran. Asnjë vizion tjetër të qartë s’kanë treguar. Pas ardhjes në pushtet, kjo Qeveri ka shpenzuar pjesën më të madhe të këtij mandati pa bërë asgjë në ekonomi, por duke mbajtur publikun me deklarata veç te Fondi Sovran”, ka thënë Mustafa në “60 Minuta” të KTV-së.

“Dhe tani në fund të mandatit kanë ardhur me projekt. Kanë paraqitur një fond, që nuk është fond. Me çka do të mbushet ky fond? Duhet të ketë resurse. Sipas projektligjit, fondi do të përmbushet me profitet e ndërmarrjeve publike. Por këto ndërmarrje po operojnë me humbje. Nuk i mungon asnjë instrument t’i zhvillojë në ndërmarrje profitabile. Fondi Sovran është një improvizim i kësaj qeverie që kinse kanë krijuar fond. Kemi të bëjmë me një mekanizëm shtesë burokratik për menaxhimin e ndërmarrjeve publike. Nuk paraqet asgjë sesa një bord i madh që do të mbikëqyrë bordet më të vogla. Që do të thotë se do ta centralizonte kontrollin e ndërmarrjeve publike. Nuk kemi të bëjmë me një fond zhvillimor”, ka theksuar ai.

Mustafa e ka parë shqetësuese që Qeveria i ka paraparë edhe mjetet e Trustit të shfrytëzohen për ta mbushur fondin.

“Kjo qeveri ka tre vjet në pushtet, që nuk janë pak. Tre vjet qeverisje mund të jenë të pamjaftueshme për ta rimëkëmbur të gjithë ekonominë, por mjafton për të lërë ndonjë gjurmë pozitive. Çfarë shenja po lë kjo qeveri? Pagat e minatorëve vonohen, s’ka asnjë zhvillim të Trepçës, prodhimi ka rënë. Ky mekanizëm që po e quajnë Fond Sovran vetëm sa do të komplikojë menaxhimin e ndërmarrjeve publike dhe s’ka shpresë që do të ketë sukses në këtë sektor”, ka thënë Mustafa.