Profesori i Ekonomisë, Ujkan Bajra, ka thënë se nuk është e drejtë që rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës, të marrë konotacion politik, pasi sipas tij ajo iu referohet vetëm institucioneve financiare dhe vendos kornizat e një sistemi të rregullt financiar.
Bajra, të hënën, në një intervistë në emisionin “60 Minuta”, ka theksuar me anë të kësaj rregulloreje nuk cenohet askush në Kosovë.
“Jemi dëshmitarë që çdo çështje që ngrihet, qoftë edhe për të mirën e funksionimit të rendit dhe ligjit, në këtë rast të sistemit financiar, është bërë si një lloj mode që këto çështje të marrin edhe konotacion politik, por realisht kjo nuk është e drejtë, pasi që rregullorja nuk cenon askënd në territorin e Kosovës”, është shprehur Bajra.
Ai ka theksuar se BQK-ja vetëm është dashur që të organizojë një fushatë më të mirë senzibilizuese, në kuptimin e njoftimit të opinionit, gjë që sipas tij, do t’i kontribuonte transparencës në këtë aspekt.
Bajra ka thënë se meqë rregullorja e BQK-së është e dhjetorit të vitit të kaluar dhe hyn në fuqi nga 1 shkurti, vlerëson se është një kohë e shkurtër për informim të opinionin edhe të largimit të dilemave nëse ajo mund të prodhojë efekte negative për shtresa të caktuara të popullsisë ose edhe vetë institucionet financiare.
Edhe
Qeveria insiston se Rregullorja e BQK-së s’do të ndryshohet, opozita kërkon koordinim me aleatët
Ai ka folur edhe për presionin që është duke iu bërë BQK-së për shtyrje të ekzekutimit të vendimit, që sipas tij është në linjë me parimet e qeverisjes së mirë.
“Në deklaratat paraprake është kërkuar një lloj suspendimi, tani po flasim për shtyrje të vendimit, që është në një linjë me parimet për qeverisje të mirë, për të ju dhënë kohë, që të hiqen të gjitha dilemat që mund të kenë grupet e caktuara” është shprehur Bajra.
Sipas rregullores së re të BQK-së, të gjitha transaksionet me para të gatshme kudo në Kosovë duhet të bëhen me euro gjë që i jep fund edhe përdorimit të dinarit serb.
Më gjithë rregulloren Bajra ka theksuar se nuk beson që dinari serb do të hiqet tërësisht nga përdorimi.
Bajra: Nuk besoj që dinari do të hiqet tërësisht nga qarkullimi
“Nuk besoj që dinari mund të kontrollohet ose mund të hiqet tërësisht nga qarkullimi, ideja e kësaj rregulloreje është që të vendosen konturat në kuptimin e institucioneve financiare, por është paradoksale të mendohet që të kontrollohet sasia e parasë në qarkullim që e kanë popullata. Është e vërtetë që dinari në të gjitha lokacionet ku banojnë serbët, është përdorur vazhdimisht, edhe mund të përdoret, por prej vitit 2002 valutë zyrtare është euroja”, ka deklaruar Bajra.
Edhe
Ukaj: Rregullorja e BQK-së për dinarin e drejtë, strategjia për zbatim të saj e gabuar
Ai ka theksuar se nuk sheh asnjë problem në zbatim të rregullores.
“Nuk shoh asnjë problem në zbatimin e kësaj rregulloreje, nuk e afekton askënd, në nenin dy, fushëveprimin e saj, iu referohet ekskluzivisht institucioneve financiare, atyre që janë të licencuara nga BQK-ja dhe nuk prek fare kategoritë e cenueshme ose shtresat e cenueshme sociale ... I vendos në parim konturat e një sistemi të mirë, të një sistemi të organizuar, që duket se është në pajtueshmëri me Ligjin për BQK-në, me Kushtetutën si dhe rregullat që i vendos Banka Qendrore Evropiane”, ka thënë Bajra.