Njohësi i çështjeve të ekonomisë, Emanuel Bajra, deklaroi se bankat kosovare nuk duhet t’i rrisin normat e interesit mbi 2.5 për qind, pasi sipas tij, kjo nuk është e lejuar as në bankat e Anglisë.
Ai deklaroi në Interaktiv të KTV-së të mërkurën se Banka Qendrore e Kosovës nuk po e luan rolin e saj në monitorimin e bankave, që siç tha ai, shumica dërrmuese e tyre nuk janë nga Kosova.
“Asnjë bankë s’duhet t’i rrisë normat e interesit mbi 2.5 për qind, por ne veprojmë sepse s’kemi një bankë qendrore dinamike për t’i monitoruar banka. Në Kosovë, në 14 vjet jemi në spiralen e rritjes së normës, ne kemi shumë mangësi, një prej tyre është ‘free banking’. Banka Qendrore duhet të bëjë skanim të të gjithë bankave komerciale, nga aspekti i origjinës së likuiditetit dhe të shihet çfarë masa të merren. Por, BQK-ja ka kapacitete të limituara, pra, nëse një bankë dështon në Kosovë, ajo s’mund ta mbulojë humbjen e saj”, tha Bajra.
Sipas tij, problemi më i madh i bankave kosovare qëndron te kapitali i jashtëm, e kjo siç tha ai, duhet të rregullohet nëpërmjet Bankës Qendrore.
Bajra theksoi se Banka Qendrore e Kosovës që nga paslufta Kosova s’ka pasur rregullator që iu rri gati bankave në monitorim, e as s’ka krijuar partneritet me bankat për qytetarët.
Edhe
FMN-ja parashikoi ulje të normave të interesit, Bajra thotë se do të kishte efekt pozitiv për Kosovën
“Banka Zhvillimore nuk do të ishte bankë që do të rregullonte strukturën bankare, Qeveria s’ka premtuar reformim të BQK-së, besoj se duhet të bëhet sepse krejt lidhen me të. BQK-ja është aty ku duhet të monitorohet dhe të rritet prosperiteti i vendit, Banka Zhvillimore ka qenë tjetër”.
Për falimentimin e bankës amerikane në Silicon Valley, Bajra tha se është problem i madh që mund të shkaktojë krizë të re ekonomike.
Sipas tij, 1.4 miliardë dollarë është vlera e bankës që falimentoi, e kjo për Bajrën, është shumë e madhe e tregut botëror.
“Ndërhyrja ishte e nevojshme, pasi nuk duhet të lejohet që një institucion i kësaj madhësie të falimentojë. Me kalimin nga pandemia, normat e interesit u rritën, për ta mundur inflacionin. Me rritjen e normave, kjo e vuri ‘SVB-n’ në një situatë të palakmueshme investuese”, tha ai.
Bajra theksoi se bota është futur në krizë të likuiditetit, për shkak gjatë 13 vjetëve të fundit ka pasur shtypje të madhe të parasë, “e tash u ndal rrjedhja”.
“Ka masë më të vogël të parasë për tregtarët. Kjo krijon tension. E dyta është se çka do të ndodhë pasi disa banka duhet të falimentojmë. Por, s’ka krizë te bankat komerciale sepse po merremi me bankat që iu shërbejnë të pasurve dhe bizneseve”, theksoi ai.
Edhe
Inflacioni e rrezikon edhe rritjen e normave të interesit të kredive
Rritja e vlerës së dollarit, për Bajrën është rritje e krizës ekonomike.
“Joe Biden po e shtyn me fuqi që t’i rrisë normat e interesit Bankës Qendrore të SHBA-së. Për Biden, s’i intereson performanca e tregjeve. Është politikë shkurtpamëse, por e qëllimshme. Politika që po luhet në SHBA, po ndikon edhe tek vendet e Evropës. Nëse kemi krizë të koncentruar në sistemin bankar, atëherë pasojat do të jenë të paparashikueshme”, tha ai.