Arbëri

FMN-ja parashikoi ulje të normave të interesit, Bajra thotë se do të kishte efekt pozitiv për Kosovën

Normat e interesit në ekonomitë e mëdha pritet të kthehet në nivelet e ulëta të parapandemisë, sipas një parashikimi të fundit. Fondi Monetar Ndërkombëtar ka thënë se rritja e kostos së huamarrjes, ka të ngjarë të jetë “e përkohshme”, pasi inflacioni i lartë të vihet nën kontroll.

Një gjë e tillë do të kishte efekt pozitiv edhe në Kosovë, ka thënë njohësi i çështjeve ekonomike, Emanuel Bajra. Ai ka theksuar se pos efektit pozitiv, kujdes duhet shtuar rrethanave për kredidhënie, që e sheh si rrezik. Megjithatë, ka shtuar se të dhënat e FMN-së nuk duhet marrë shumë parasysh pasi, siç tha ai, mënyra se si i ndërton statistikat dhe analizat FMN-ja është ndryshe me mënyrën si i bën Kosova në tregjet globale.

“Në Kosovë efekti do të ishte pozitiv për shkak se do t’i detyronte bankat komerciale, bankat private, ato 12 banka që i kemi në Kosovë që ta ulin normën e interesit për klientët, por mos të harrojmë këtu problemi më i madh dhe elefanti më i madh në dhomë që kemi në Kosovë specifikisht është ngushtimi i rrethanave të kredidhënies në muajt e ardhshëm. Ky është rreziku më i madh, këtu pra duhet t’i hapim sytë për shkak se një ngushtim i madh i parasë që ka filluar do të thotë në tregjet globale do të ndikojë në sasinë e parasë që do të depërtojë në Kosovë do të thotë likuiditeti bankar”, ka thënë Bajra për KOHËN.

Bajra ka shpjeguar si do të ndikonte në Kosovë ky kthim i normave të interesit në nivelet si para pandemisë. Ai ka theksuar se shteti nuk mund ta vë në kontroll inflacionin, se këtë e bën Banka Qendrore.

“Kur nuk ka likuiditet funksional në bankat komerciale nëpër Evropë, kjo do të ketë ndikime në kualitetin e kredidhënies në Kosovë, por edhe natyrisht në çmimore më të lartë të kredidhënies. Pra, kreditë do të shtrenjtohen, normat e interesit për kredi gjasat do të stagnojnë ose do të qëndrojnë të larta. Pra, nuk është edhe lajm shumë shumë i mirë për Kosovën, përderisa i njëjti gati si me thënë në formën e njëjtë mund të ndodhë edhe në perëndim nëse kemi ulje të normës të interesit për shkak se çka ndodhë historikisht kur ulen normat e interesit nga Bankat Qendrore, bankat komerciale nuk e ndjekin shembullin për shkak se mos të harrojmë se bankat komerciale përfitojnë shumë nga “nims” qe janë ato diferenca në mes kredibërjes, kredidhënies edhe depozitave që i ka banka”.

Bajra është shprehur kritik ndaj Bankës Qendrore. Ai ka deklaruar se jo vetëm që nuk pret ndryshim në linjat kreditore, por sheh shtrenjtim të kredive.

“Por, problemi është që me një Bankë Qendrore që nuk është shumë efektive, nuk është edhe funksionale, nuk është edhe që kryen detyrat që i ka për qëllim edhe për mision kushtetues edhe statutor. Pra, nuk pres shumë në këtë aspekt. Unë nuk shoh ndonjë ndryshim të madh në linjat kreditore në aspektin e ekosistemit kreditor bankar në Kosovë, përkundrazi shoh më tepër ringritje çmimore të kredive ose shtrenjtim të kredive edhe siç e thashë më herët pra ngushtim të kushteve kreditore”, ka thënë ai.

Sipas Bajrës, me parashikimet se SHBA-ja ka gjasa të futet në recesion, do të ndryshojë tërë horizonti ekonomik, politik dhe gjeopolitik. Ai pret që kushtet financiare globale do të jenë shumë më të vështira dhe “do të kemi sfida të njëpasnjëshme të cilat gjasat do të thotë janë të fillojnë verën ose vjeshtën e ardhshme duke filluar që nga linjat kreditore, duke vazhduar më tej nga konfidenca në ekosistemin bankar”.