Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Bahtiri s’heq dorë: Kosovës i duhet një Jashar në krye të shtetit

Agim Bahtiri

Edhe pse ka refuzuar publikisht që të marrë poste publike shtetërore, familjes Jashari i është bërë sërish kërkesë publike që dikush prej saj të pranojë të bëhet president i shtetit. Deputeti i Vetëvendosjes, Agim Bahtiri, në një letër në Facebook ka thënë se në “terrin politik” në të cilin është Kosova tash, sytë e popullit kthehen natyrshëm drejt Prekazit.

Në letrën drejtuar familjes Jashari, Bahtiri ka thënë se Kosova që prej fillimit të 2025-s është zhytur në rrethana të palakmueshme që godasin themelet e shtetit.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Këtu ka përmendur se më 4 prill presidentes Vjosa Osmani i përfundon mandatit e se sipas tij në këtë rast krijohet vakum kushtetues. “Ky nuk është thjesht një tranzicion ligjor, por një rrezik për bllokim total të institucioneve”, ka shkruar ai.

Sipas tij, Kosova po përballet edhe me izolim të heshtur e presione të paprecedentë që po cenojnë sovranitetin.

Tutje Bahtiri ka thënë se pasiguria politike ka prodhuar edhe rënie të besimit e ka nxitur largimin e rinisë.

Deputeti i VV-së ka thënë se skena politike është ndarë në taborë që shpesh harrojnë interesin kombëtar përballë atij partiak.

Duke u bazuar në këto, ai ka bërë thirrje që familja Jashari t’ia bëjë nderin e radhës Kosovës. Bahtiri ka thënë se kjo është alternativa e vetme që mund ta shërojë ngërçin në Kosovë.

“Në këtë terr politik, sytë e popullit kthehen natyrshëm drejt Prekazit. Kur institucionet lëkunden, themelet janë ato që na mbajnë në këmbë. Familja Jashari nuk është thjesht një emër; është vetë institucioni i moralit, i sakrificës dhe i unitetit të pakontestueshëm shqiptar; është institucion i besueshmërisë e kurrë i tradhtisë. Prandaj, sot, me përulësinë më të madhe dhe me bindjen më të lartë atdhetare, ju bëj thirrje: Kosovës i duhet një JASHAR në krye të shtetit; njerëz të fjalës, të besës dhe qëndresës”, ka shkruar Bahtiri. “Ju kërkojmë që, ashtu siç i bëtë nderin më të madh historisë duke i dhënë lirinë, t’i bëni sot nderin e radhës Republikës duke ofruar një kandidat nga familja juaj për President të Republikës së Kosovës. Ju jeni e vetmja alternativë që mund të shërojë këtë ngërç, të kthejë dinjitetin në Presidencë dhe të bashkojë popullin rreth një figure që nuk e ndan, por e lartëson Kosovën. Në këto kohë rrethimesh moderne, na duhet dikush që fjalën e ka burrërore dhe veprën atdhetare. Prania juaj në krye të shtetit do të ishte garancia më e madhe për aleatët tanë dhe mesazhi më i qartë për armiqtë tanë se Kosova është e pathyeshme”.

Më 4 prill, presidentes Vjosa Osmani i përfundon mandati. Më 5 mars, Kuvendi mbajti seancë por në mungesë kuorumi nuk pati as votim për dy kandidatët e Vetëvendosjes, Glauk Konjufca e Fatmire Mulhaxha-Kollçaku. Pas kësaj, Osmani dekretoi shpërndarjen e Kuvendit, por dekreti u shpall i pavlefshëm juridikisht nga Gjykata Kushtetuese pas ankesës së Vetëvendosjes. Kushtetuesja të mërkurën ia dha Kuvendit edhe 34 ditë afat për zgjedhjen e presidentit ose vendi shkon në zgjedhje të reja.

VV-ja ka pasur takime me dy partitë tjera më të mëdha, Partinë Demokratike dhe Lidhjen Demokratike, por nuk kanë arritur në ndonjë dakordim për emrin për president.

E pas përmendjes si opsion, familja Jashari pati refuzuar që të marrë detyrën.