Përfaqësues të Federatës Sindikale të Punëtorëve Teknikë të Sektorit Privat janë takuar të enjten me rektorin e Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu, për të diskutuar çështjen e pagës minimale për punëtorët teknikë dhe ata të sigurimit fizik që punojnë në këtë institucion.
Kryetari i sindikatës, Jusuf Azemi, ka thënë se takimi nuk ka përfunduar sipas pritjeve të tyre. Sipas tij, rektori Hajrullahu është larguar nga takimi pa u përmbyllur zyrtarisht, duke thënë se sindikata ka shpërndarë dezinformata në publik.
“Ne u pritëm në takim nga kryesuesit e Rektoratit, por takimi nuk përfundoi ashtu siç duhet. Rektori i UP z. Arben Hajrullahu ende pa e përmbyllur zyrtarisht u largua nga takimi, me fjalët se ne si Sindikatë kemi shpërndarë dezinformata në publik”, ka thënë Azemi.
“Sipas nesh rektori ka qenë i frustruar sepse ne nëpër media kemi treguar realitetin dhe ai këtë e ka marrë si shantazh”, thuhet në njoftimin e tij.
Azemi ka bërë të ditur se rektori ka theksuar se çështja e pagave duhet të adresohet te kompania kontraktuese dhe jo te rektorati, duke shtuar se universiteti nuk mund të ndërhyjë në këtë proces deri në përfundimin e kontratës aktuale, e cila sipas tij pritet të zgjasë deri në vitin 2027.
Azemi ka deklaruar gjithashtu se tashmë ka njoftuar Inspektoratin e Punës lidhur me pretendimet për moszbatim të pagës minimale për këta punëtorë, duke shtuar se pret që ky institucion së shpejti të publikojë një raport zyrtar për këtë çështje.
-
Punëtorët teknikë të sektorit privat protestojnë për paga
-
Azemi: Janë ekzekutuar pagat por jo sa minimalja, greva e punëtorëve teknikë vazhdon
-
Azemi: Nga janari i vitit të ardhshëm do të kërkojmë që paga minimale të jetë 600 euro
-
Azemi: Në “Ismail Qemali” pati konfrontim fizik mes punëtorëve grevist dhe atyre që i dërgoi Komuna për të pastruar
-
Azemi: S’ndalet greva pa u paguar borxhet ndaj punëtorëve teknikë të shkollave në Prishtinë