Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, është shprehur i indinjuar me vendimin e Qeverisë së Kosovës për subvencionimin e kompanive private nëse ua rrisin punonjësve pagën. Sipas vendimit, subvencionimi do të jetë 50 për qind për rritjet deri në 100 euro dhe për tre muaj.
Azemi në Interaktiv të KTV-së ka thënë se kryeministri Albin Kurti ka lënë ngërç me këtë vendim, pasi tha se nuk mund të obligohen kompanitë private t’i paguajnë punëtorët me nga 50 euro. Ndërkohë, ka kërkuar sërish që mjetet Qeveria t’i ndajë pa kushtëzuar kompanitë.
Sipas tij, vendimi i Qeverisë është bërë për qëllime të caktuara me vetëdije se kompanitë nuk i japin ato mjete.
Azemi ka thënë se udhëheqësit sindikalë janë të mllefosur me vendimin dhe se po kërkojnë protesta që mund të çojnë në "veprime jonjerëzore".
“Nuk presim ndonjë ndryshim por këta punëtorë duan ti tregojnë institucioneve që vendimet e marra janë vendime abstrakte. Të merret një vendim dhe punëtorët e sektorit publik minimum janë pagat dyfish, dyfish më pak punojnë se ne punëtorët e sektorit privat. Ne jemi 200 mijë punëtorë që ndajmë për buxhetin e Kosovës. Derisa ata janë më të avancuar në çdo formë, deri sa ne po financojmë dyfish më shumë, ata të financohet e ne jo, nuk e kuptoj”.
Azemi është shprehur se nuk pret asgjë nga Qeveria aktuale, ndërsa ka theksuar se ia “ka vënë lakun punëtorit të sektorit privat duke favorizuar të tjerët” në sektorin publik.
Azemi ka paralajmëruar se protesta mund të përshkallëzohet. Duke aluduar në protestat që dikur i bënte Vetëvendosja para Qeverisë, ku ndër tjerash hidheshin gurë, ai ka thënë se veprime të tilla mund të ndërmerren edhe nga punëtorët e sektorit privat.
“Pres që këta punëtorë të tregojnë se ku jemi dhe çka jemi. Gjatë takimit të sotëm ka qenë vendim që të shkohet para Qeverisë së Kosovës, por me fjalët që i kanë thënë kryetarët e shoqatave, kanë thënë se mund të bëhen veprime jonjerëzore aty. Nënkupton që punëtorët e mërzitur dhe të lodhur nga veprimet joserioze të Qeverisë mund të bëjnë veprim që partitë që tani janë në pushtet i kanë bë më herët. Unë do të luftoj me çdo kusht që ata punëtorë të mos i dërgojë para Qeverisë sepse është dëm që një gur të hidhet në dritaren e Qeverisë”, ka thënë Azemi.
Azemi ka shtuar se të enjten do të lajmërohet Qeveria e Kosovës për masat sindikale që do të ndërmerren dhe në rast mosveprimi nga institucionet, protesta do të fillojë.
“Bëhet sikur është qorr, sikur nuk po do me dëgju për këta punëtorë. Derisa një kryeministër dhe ministër i Financave del e krekoset thotë kam rritje ekonomike, buxhet 800 milionë euro, zotëri nuk më intereson sa ke në buxhet, më intereson sa kam unë”.
Azemi i ka ftuar pronarët e kompanive që të ndihmojnë e që edhe ata që nuk janë anëtarë të sindikatës, të jenë pjesë e protestës.
“Propozoj që këtë ditë në të gjitha kompanitë që punojnë të grumbullohen sa për fillim një orë, në vendin e punës. Mund të vjen vendimi që të shkojmë para Qeverisë. Qëllimi është që ta dinë edhe fëmijët në djep se me këtë vendim ka bë dy shkelje, e para si kryeministër nuk e di çka ka bë, dhe e dyta që punëtorët e sektorit privat i ka diskriminuar. Këso diskriminime kanë ndodhur në vitet 1990-1999”.