Arbëri

Azemi: Premtimi i kryeministrit Kurti për pagë minimale 250 euro është qesharak

Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, ka thënë se Qeveria Kurti II nuk është duke bërë asgjë për punëtorët e sektorit privat në Kosovë.

Duke folur në “Interaktiv” të KTV-së për zotimin e kryeministrit Kurti për rritje të pagës minimale në 250 euro, Azemi ka thënë se kjo është qesharake.

Sipas tij, në Kosovë afro 1,000 punëtorë të sektorit privat paguhen me pagë minimale, prej 170 ose 180 euro.

“Rreth 1,000 punëtorë në nivel të Kosovës paguhen me pagë minimale dhe ato janë kryesisht kompani publiko-private që kryejnë shërbime në Qeveri apo në mjekësi. Pagën minimale kryeministri me qeverinë e vet le ta mbajnë për veti. Nuk ka punëtorë që së fundmi ka nënshkruar pagë 250 euro. Bëjmë thirrje që punëtorët në asnjë moment të mos nënshkruajnë pagë nën 400 euro. Tash për tash nuk ka që nënshkruajnë kontratë në pagën 350 euro, paga 250 euro është sikurse të flasësh për borën e parvjetme, është qesharake që një kryeministër të flasë për pagë minimale 250 euro”, ka thënë Azemi.

Ai ka shtuar se nuk është bërë as puna më e vogël në raport me sektorin privat.

“Qeveria Kurti II deri më tani asnjë favor, as më të voglin nuk e ka bërë për sektorin privat. Ka premtuar nënshkrimin e marrëveshjes kolektive, nuk e ka nënshkruar. Përgjigja e tyre ka qenë heshtja. Kemi bërë presion edhe te presidentja e shtetit, por definitivisht edhe qeveritë e kaluara kanë premtuar shumë por megjithatë kanë lëvizur diçka ndërkaq për këtë Qeveri nuk ekzistojnë punëtorët e sektorit privat”, ka thënë Azemi.