Arbëri

Avokati i Popullit: 77% e nxënësve të anketuar thonë se kanë përjetuar një lloj të dhunës

Zv. Avokatja e Popullit, Anita Çavdarbasha-Korenica, ka deklaruar se tre në katër nxënës të anketuar në raportin e këtij institucioni kanë thënë se kanë përjetuar një lloj të dhunës.

Derisa ka folur për raportin e IAP-së për shëndetin mendor të fëmijëve dhe dhunës në shkolla, Çavdarbasha-Korenica ka konsideruar se kjo statistikë është shumë e rëndë. 

Sipas saj, prej tyre më së shumti kanë përjetuar dhunë verbale, psikologjike dhe fizike.

“Nga të dhënat e kemi analizuar në raportin tonë, duke u bazuar në studime se dhuna në mes nxënësve dhe dhunën që e shkaktojnë mësimdhënësit te nxënësit. Nëse flitet për dhunën në mes të nxënësve kemi dhunë të përgjithshme, anketuesit janë nxënës të klasave 6-9, 77% e nxënësve raportohen se kanë qenë të dhunuar nga një lloj dhunimi gjatë muajit të fundit. Kjo është një statistikë shumë e rëndë. Prej tyre dhunë verbale kanë dhënë 61 për qind, dhunë psikologjike 66 për qind, dhunë seksuale 9.4 për qind, dhunë fizike 45 për qind”, ka thënë ajo. 

Çavdarbasha-Korenica ka shtuar se problemi kryesor që nuk raportojnë është për të mos e prishur imazhin e shkollës. 

Ajo ka thënë se për këtë raport janë intervistuar 12 mijë nxënës.

Ndërsa në pyetësorin tjetër me “Save the Children”, 78 për qind e fëmijëve të deklaruar kanë thënë se kanë përjetuar bullizmin. 

“Forma më e përdorur e bullizmit tash është ai kibernetik”, ka shtuar ajo.