Arbëri

Avdyli-Kurtit: Gurin në rrugën e koalicionit mund ta heqim nëse bëhemi bashkë

Deputeti i ardhshëm nga radhët e LDK-së, Haxhi Avdyli, i ka bërë thirrje kryetarit të partisë së tij Isa Mustafës dhe atij të LVV-së Albin Kurtit, që të mos mendojnë si kryetarë partishë por si qytetarë.

I është përgjigjur edhe kryetarit të Vetëvendosjes Albin Kurti, i cili dje tha se mes LVV-së e LDK-së, “është një gur”.

Avdyli, në një postim në facebook, thotë se “guri në rrugën e koalicion mund të hiqet nëse bëhemi bashkë”.

“Në momentin kur jemi 24 orë para konstituimit të Kuvendit, është momenti që kryetari i LDK-së e VV-s më shumë të mendojnë si qytetar i Kosovës me shumë halle e kërkesa e më pak si kryetar partish. Më shumë të takohen me punëtorë të sektorit privat, me arsimtarë e studentë, me mjekë e pacientë , me bujqë e biznesmenë e më pak të dëgjojnë jurishnikët partiakë, militantë, servil e karrierista që më shumë kanë hallin e vetes e klanit se sa hallin e shtetit. Guri në rrugën e koalicionit mund të hiqet nëse bëhemi bashkë për ta larguar e nga ai gur të ndërtojmë Ura mirëbesimi e bashkëpunimi afatgjatë. Sepse ai guri (posti i Presidentit) mbetet vetëm një mjet për të larguar malin e gurëve e shkëmbinjëve të keqqeverisjes së kaluar e fushave të minuara nga ata”, shkruan Avdyli, transmeton Koha.net. 

LEXO EDHE: Sot mblidhet Vetëvendosja, nesër seanca konstituive

Dje, Kurti tha se në rrugën LVV-LDK, është një gur, ndonëse, marrëveshja është rreth finalizimit.

“Unë e falënderoj (Don Lush Gjergjin) për urimin që ne sa më parë t’i përmbyllim bisedimet e negociatat tona dhe të dalim me një qeveri të re ashtu siç e ka kërkuar populli në zgjedhjet e fundit. Në këtë rrugën e këtyre bisedimeve me partnerin tonë qeverisës, ne jemi kah fundi, kemi një gur në rrugë, nuk është as shkëmb as guralec, mirëpo me urimet më të mira të Don Lush Gjergjit, e me lutjet e të gjithëve dhe me punën tonë të përbashkët, besoj se do të ia dalim me sukses”, ka thënë Kurti.

Avdyli, tutje thotë se “Koha është sot që Isa Mustafa ,Vjosa Osmani e Albin Kurti të nënshkruajnë marrëveshjen e shumëpritur nga qytetarët sepse zhgënjimi qytetar i nesërm mund ti hakmerret dy palëve por edhe vendin e vendos në rrugë pa krye”.

“Nesër mund të kemi koalicion me fitues të besimit qytetar ose fërkim duarsh të humbësve të zgjedhjeve të 6 tetorit që veç në ujëra të turbullta mbijetojnë politikisht”, përfundon Acdyli.