Arbëri

Sot mblidhet Vetëvendosja, nesër seanca konstituive

Lëvizja Vetëvendosje do të mblidhet për një takim në selinë e vet sot në orën 14:00.

Kjo është konfirmuar për KTV-në derisa nuk dihet se çfarë temash pritet të diskutohen.

Kujtojmë se thirrja e seancës konstituive për të enjten, është hapi i parë formal drejt krijimit të institucioneve të reja, por jo edhe dita vendimtare.

Gjithashtu, dje edhe Lidhja Demokratike e Kosovës mblodhi strukturat e veta ku pas takimit, kryetari Isa Mustafa tha se po pret thirrjen e Albin Kurtit për takim duke mos dhënë detaje shtesë.

“S’mund të them që ka një takim tani, por nëse Kurti na thërret ne jemi të gatshëm për takim", ka thënë Mustafa pas takimit.

Referuar praktikës së deritashme nuk dihet se kur do të përmbyllet seanca me zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve.

Mungesa e marrëveshjes për koalicion ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike do ta përsëriste situatën e vitit 2014 dhe 2017, kur partia fituese e kishte vonuar emrin e kandidatit për kryetar të Kuvendit. Vonesat eventuale në konstituimin e Kuvendit, nuk do të mund ta vinin në lëvizje as Gjykatën Kushtetuese, qoftë nga presidenti apo ndonjë organ tjetër. Në mungesë të takimeve me partnerin e vetëm potencial për koalicion, VV-ja nuk ka treguar nëse do ta nxjerrë emrin e kandidatit për kryetar të Kuvendit. Megjithëse ka mospajtime rreth postit të presidentit, dy palët janë shfaqur optimiste që marrëveshja do të arrihet shpejt, shkruan Koha.net.

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka thënë se ka një pengesë të vogël në arritjen e marrëveshjes për bashkëqeverisje me LDK-në, porse ai beson se këto dy ditë ato do të tejkalohen. Ai ka thënë se në mes ka një gur.