Deputeti i grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Haxhi Avdyli, ka thënë se postimi i bashkëshortit të presidentes Vjosa Osmani, Prindon Sadriu në Facebook, ku mediat i quan “ndërmarrje e përbashkët kriminale”, është nxjerrë prej kontekstit.
Avdyli ka thënë në “Java Sonte me Rronin” të KTV-së se ai nuk i ka quajtur gazetarët “ndërmarrje e përbashkët kriminale”, por gazetarë të para-politikës.
“Komentet e Sadriut shpeshherë janë munduar të nxjerrën prej kontekstit, sepse asnjëherë nuk quhen gazetarët “ndërmarrje e përbashkët kriminale” por quhen përfaqësuesit e ndërmarrjeve të përbashkëta kriminale, gazetarët e para-politikës”, ka thënë Avdyli.
Megjithatë, ai ka shtuar se statuti i tij edhe si diplomat në Maqedoninë e Veriut nuk e lejon këtë dhe se presidentja Osmani di ta mbrojë veten më së miri.
“Unë nuk jam i lumtur që Prindoni ka bërë të tilla komente. Vjosa Osmani di ta mbrojë vetën më së miri. Këto komente veçanërisht nuk duhet të bëhen nga ana e të qenit burri i presidentes sepse së pari e dëmtojnë edhe Vjosën. Është e drejtë që edhe ai e ka dhënë një konstatim të tillë, por mendoj që këto komente të tilla, për ta mbrojtur Vjosa Osmanin do të duhej t’i bënte dikush tjetër. Unë nuk kisha rënë pre e presionit publik nga disa gazetarë të para-politikës”, është shprehur Avdyli.
Një javë më parë, bashkëshorti i presidentes, Prindon Sadriu i quajti mediat në një postim në Facebook "ndërmarrje të përbashkëta kriminale", si reagim ndaj një shkrimi në disa media të Kosovës, ku mes rreshtash flitej për “qepim” ndaj presidentes Vjosa Osmani.
Postimi i Sadriut nxiti reagime të shumta, në mesin e të cilave ishte ai i Asociacionit të Gazetarëve Profesionistë të Kosovës (AGK), dhe raportueses për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon.
Një ditë pas, Sadriu e largoi postimin e parë ndërkohë që bëri një postim të dytë ku kishte shkruar se statusi i publikuar një ditë më parë ishte devijuar qëllimshëm nga disa, derisa theksoi se ka respekt dhe mirënjohje për punën e gazetarëve dhe të mediave.