Arbëri

Avdiu: Kushdo që e konsideron veten lobist në Kosovë kryen aktivitet ilegal, shkak mungesa e ligjit

Plator Avdiu

Hulumtuesi në Institutin Demokratik të Kosovës, Plator Avdiu, ka deklaruar se në Kosovë nuk ka ligj për lobim, andaj lobistët konsiderohet se kryejnë aktivitet ilegal. 

Të martën në “Interaktiv” të KTV-së, Avdiu ka thënë se asnjëherë nuk ka pasur iniciativë nga partitë në pushtet për ta rregulluar fushën e lobimit në aspektin ligjor.  

Madje, sipas tij, as në planprogramet e tyre para zgjedhjeve, partitë politike nuk e kanë futur rregullimin e këtij ligji. 

“Në Kosovë përveç KDI-së dhe organizatave të tjera joqeveritare, nuk ka pasur as ide, as program, as qëllim nga askush deri më tash nga subjektet politike apo institucionet, qoftë nga Qeveria ose Kuvendi, nuk ka pasur ndonjë iniciativë për ta rregulluar fushën e lobimit në aspektin ligjor. Kushdo që e konsideron veten lobist në Kosovë është aktivitet ilegal, në mungesë të ligjit. Në kuptimin se si është lobimi në vendet demokratike, që duhet të ketë transparencë të madhe, në Kosovë nuk është rregulluar në mënyrë ligjore. Asnjëra prej partive parlamentare, përjashtuar LVV-në që s’ka qenë pjesë e konferencës së sotme, nuk e ka në planprogram rregullimin e këtij ligji”, ka thënë ai. 

Avdiu ka shtuar se të gjitha iniciativat që kanë ardhur në Kosovë për luftën kundër korrupsionit, kanë ardhur nga jashtë. 

“Gjithmonë ka munguar një iniciativë vendore në funksion të rregullimit të transparencës. Hartimi i një ligji për lobim nuk duhet parë si një proces i shkëputur prej zbatimit të tij. Shumë vende në rajon kanë ligje të lobimit për disa vjet, por janë ligje të pazbatueshme. Kosova nuk duhet të marrë shembuj nga rajoni”, ka theksuar tutje ai.