Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka marrë vendim ta ndalojë importin e shpezëve të gjalla nga Shqipëria, pas paraqitjes së gripit të shpezëve.
Zëdhënësi i AUV-it, Lamir Thaçi, ka thënë se ky vendim është kërkesë ligjore në momentin që shfaqet dhe konfirmohet virusi në secilën zonë të secilit shtet, i cili eksporton në Republikën e Kosovës.
Thaçi ka shtuar se ky vendim nuk është masë ndalesë apo ndonjë barrierë, por vetëm ka të bëjë me pengimin e përhapjes së virusit të gripit të shpezëve.
“Masa e ndalesës për import të shpezëve nga zona e Durrësit në Shqipëri është masë për të parandaluar përhapjen e gripit të shpezëve duke e ditur që është një sëmundje që ka përhapje të shpejtë. Vendimi është kërkesë ligjore qe ka për obligim autoriteti ynë ta marrë në momentin që shfaqet dhe konfirmohet virusi në secilën zonë të secilit shtet i cili eksporton në Republikën e Kosovës. Nuk është masë ndalesë apo ndonjë barrierë kjo ka të bëjë me pengimin e përhapjes së virusit të gripit të shpezëve”, ka thënë ai.
Thaçi ka theksuar se ky vendim nuk ka efekt negativ sa i përket qarkullimit tregtar për shkak se qarkullimet e tjera tregtare janë duke vazhduar normal tek autoritetet shqiptare.
“Nuk shoh që do të ketë efekt negativ sa i përket qarkullimit tregtar për shkak se qarkullimet e tjera tregtare janë duke vazhduar normal tek autoritetet shqiptare. Kufiri ka ngritur nivelin e kontrollit dhe janë duke u kontrolluar të gjitha ngarkesat e tjera. Secili shtet në bazë të rregullave ndërkombëtare për shëndet të kafshëve ka për obligim që secilin rast të konfirmuar të përhapjes së këtij virusi duhet ta raportojë në UE dhe vetë Shqipëria e ka raportuar, edhe ne e kemi raportuar kur e kemi pasur si virus dhe jemi në kontakte të vazhdueshme me autoritetet e shteteve përreth dhe shtetet e tjera për ta ndaluar përhapjen e shpejtë të këtij virusi”, ka thënë Thaçi.
Edhe
Ndalohet importi i shpezëve nga disa rajone të Polonisë në Kosovë
Ai ka shtuar se AUV-i ka kontakt të vazhdueshëm edhe me fermerët edhe me Shoqatën e Shpezëtarëve, ku kanë urdhëruar që të marrin të gjitha veprimet.
Thaçi ka sqaruar se Kosova vitin e kaluar ka arritur që të parandalojë përhapjen e kësaj sëmundje falë angazhimit të të gjitha institucioneve përgjegjëse, prandaj edhe ka kërkuar kujdes.
“Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm edhe me fermerët edhe me Shoqatën e Shpezëtarëve, i kemi urdhëruar që të marrin të gjitha veprimet e masës së biosigurisë në fermat e tyre dhe ata janë shumë vigjilent me kontrollet që i ushtrojnë në fermat e tyre. Jemi të përgatitur mirë, kemi shtabin e emergjencës aktiv dhe gjuhë zyrtarët e ndjejnë përgjegjësinë që duhet marrë veprime në çfarëdo situate që do të ndodh dhe që nga drejtori Ekzekutiv dhe secili zyrtar e ka të përshkruar detyrën në kuadër të shtabit të krizës”, ka përfunduar ai. /EO