Për dënime prej 2000 eurosh deri te mbyllja janë ankuar gastronomët në kryeqytet, pas aksionit të AUV-it që mbylli 27 lokale, shumica prej të cilave në Prishtinë. Kryeshefi i AUV-it ka thënë se masat lidhur me shfrytëzimin e tarracave i ka caktuar Ministria e Shëndetësisë, derisa ka shtuar se të mbyllurit i kanë shkelur masat në mënyrë sistematike
Dënim prej 2000 eurosh ka marrë një lokal në qendër të kryeqytetit. Ai i është shqiptuar, siç ka thënë aksionari i saj, Shpat Hashani, për shkak të tarracës, të cilën inspektorët e Agjencisë së Ushqimit e Veterinarisë e kanë parë si në kundërshtim me atë që e përcakton si hapësirë e hapur.
“Kjo është një brengë e madhe që bizneset të jenë të selektuara dhe të vijnë të ndëshkojnë në mënyrë të selektuar. Nëse në një rrugë janë 10 lokale, 10 biznese dhe të vijnë t’i dënojnë vetëm katër dhe t’i mbyllin dhe në një rrugë më lartë apo në lagje të ndryshme të Prishtinës dhe të Kosovës që nuk janë as në dijeni për këtë do të thotë, ne me qenë viktimë e këtyre gjërave dhe vetëm disa biznese, është shumë, shumë pa logjikë”, ka deklaruar Hashani.
27 lokale nëpër Kosovë, si ai në Arbëri, janë mbyllur në aksionin e mbrëmjes së 2 shtatorit. Bashkëpronari i kësaj kafeneje, Vigan Bekqeli, thotë se tarraca e këtij lokali i plotëson kushtet për të qenë e hapur.
“Lokali që ne e kemi dhe tarraca që ne e posedojmë i plotëson kushtet për të punuar pasi që aty ceket që nëse dy të tretat e janë të mbyllura me çfarëdo strukture, qoftë të përkohshme ose të përhershme, duke e përfshirë edhe tavanin atëherë nuk lejohet puna, ndërkaq, si po shihet te tarraca jonë, ne të gjithë hapësirën e lokalit e kemi, të tarracës përkatësisht e kemi të hapur”, ka thënë ai.
Bekqeli është ankuar në AUV dhe nuk e përjashton as ankesën në gjykatë nëse ajo nuk aprovohet nga komisioni i ankesave në këtë institucion. Nga ana tjetër, kryeshefi i AUV-së, Famur Kadriu, ka deklaruar se shkelësve të masave u janë dhënë vërejtje, e janë mbyllur ata që e kanë përsëritur mosrespektimin.
“Mbyllja ka ndodhë kryesisht te ata operatorë të cilët frekuentisht janë duke mos i zbatuar rregullat anti-COVID. Ato që janë duke marrë dënime pak më shpesh edhe s’po munden të vetëdijesohen dhe ta mbajnë kontrollin në hapësirat e tyre”, është shprehur Kadriu.
Sipas Kadriut, Ministria e Shëndetësisë ka shkruar rregulloren dhe në rastet e kontestimit ajo duhet ta qartësojë situatën.
“Do ta pyesim ministrinë si e definon, ata e kanë sjellë rregulloren, ata e kanë sponsoruar ligjin. Ta shohim se çfarë ka qenë mendimi i atyre që e kanë shkruar rregulloren, si e definojnë ata këtë rregull më saktë”, ka shtuar ai.
17 nga lokalet e mbyllura janë në Prishtinë, derisa komunat e tjera kanë nga 1 ose dy biznese gastronomike të mbyllura për shkelje masash. Mbyllja e tyre është caktuar deri më 13 shtator, datë pas së cilës, Qeveria do të vendosë masa të reja.