Komuna e Podujevës ka subvencionuar një Organizatë Joqeveritare (OJQ) në fushën e sportit (1,250€) dhe një tjetër në fushën e kulturës (9,000€) pa paraqitur dëshmi se kanë kryer obligime tatimore ndaj ATK. Përveç kësaj përfaqësuesi i OJQ-së ishte i punësuar në teatër dhe kishte marrë pagë të rregullt nga teatri. Po ashtu, një OJQ/Klub i futbollit kishte përfituar 10,000€ subvencion, por nuk kishte dorëzuar raport financiar
Komunarët e Podujevës i kanë shpërfillur kriteret e konkursit që i kishin përcaktuar për t’i subvencionuar organizatat joqeveritare të fushës së kulturës e të sportit. Madje, ata këto subvencione i kanë dhënë edhe në kundërshtim me Rregulloren MF-Nr. 04/2017 Mbi kriteret, standardet dhe procedurat e financimit publik të OJQ-ve.
Këto vërejtje i ka dhënë Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në raportin e saj vjetor për këtë komunë. Në këtë raport thuhet se sipas thirrjes publike të datës 05.02.2021 për mbështetje financiare të klubeve, për organizimin e aktiviteteve sportive në Komunën e Podujevës dhe thirrjes publike të datës 25.02.2021 për mbështetje financiare në projekt-propozimet për prodhimin e shfaqjeve teatrore janë përcaktuar kriteret dhe Lista e dokumenteve për aplikim (një nga to ishte edhe vërtetimi që OJQ nuk ka obligime tatimore nga ATK).
Po ashtu, sipas Rregullores MF-Nr. 04/2017 Mbi kriteret, standardet dhe procedurat e financimit publik të OJQ-ve, neni 10 paragrafi 1.5 përcakton: të mos ekzistojë ndonjë konflikt interesi në mes të aplikuesit, përkatësisht përfaqësuesve/udhëheqësit të aplikuesit dhe organizatës buxhetore apo institucionit publik, siç parashihet me legjislacionin në fuqi në Republikën e Kosovës.
“Një Organizatë Joqeveritare (OJQ) në fushën e sportit ka përfituar subvencion në vlerë 1,250€ pa paraqitur dëshmi se kanë kryer obligime tatimore ndaj ATK; Një OJQ në fushën e kulturës kishte përfituar subvencion 9,000€ për shfaqje teatrale pa paraqitur dëshmi se kanë kryer obligime tatimore ndaj ATK, ku kjo OJQ ka bashkëngjit vërtetimin, por i cili ishte jo relevant sepse është i datës 20.08.2020 dhe përfaqësuesi i OJQ-së ishte i punësuar në teatër dhe kishte marrë pagë të rregullt nga teatri, ku përfaqësuesi i OJQ-së kishte dhënë një deklaratë se do të jetë pjesëmarrjes i shfaqjeve, por nuk do të paguhet nga OJQ”, thekson raporti i Auditorit.
Tutje thuhet se një OJQ/Klubi i futbollit kishte përfituar 10,000€ subvencion, por nuk kishte dorëzuar raport financiar.
“Rastet e mësipërme kanë ndodhë si pasojë e vlerësimit jo të duhur sipas kritereve të përcaktuara në thirrjen publike dhe kujdesit të papamjaftueshëm të zyrtarëve përgjegjës për menaxhimin e subvencioneve. Mosrespektimi rregullores mund të dëmtojë kredibilitetin e procesit dhe mund të rezultojë që komuna të bashkëpunon me OJQ/individë të papërshtatshëm. Kurse mungesa e raportimit të përfituesit e subvencioneve për shpenzimet e bëra mund të rezultojë në keqpërdorim të buxheteve dhe dështim në arritjen e objektivave komunale”, thuhet në raport.
Zyra Kombëtare e Auditimit ka vërejtur se Komuna e Podujevës ka pasur edhe mungesë të planit vjetor për financimin publik të OJQ-ve.
Në nenit 6 të Rregullores MF-Nr 04/2017 mbi Kriteret Standardet dhe Procedurat e Financimit publik të OJQ-ve (Plani Vjetor i Mbështetjes Financiare) kërkohet që ofruesit e mbështetjes financiare përgatisin pjesën e planit vjetor të mbështetjes financiare për OJQ-të më së largu 30 ditë pas miratimit të buxhetit vjetor dhe i dërgojnë atë zyrës përkatëse për qeverisje të mirë pranë Zyrës së Kryeministrit.
“Komuna edhe pse me Buxhet të Republikës së Kosovës ka parapa që gjatë vitit 2021 të ofrojë mbështetje financiare për projektet dhe programet e Organizatave jo Qeveritare, megjithatë nuk ka përmbushur kërkesën ligjore për përgatitjen e Planit Vjetor për mbështetje financiare të Organizatave jo Qeveritare. Shkak i kësaj ishte neglizhenca e zyrtarëve kompetentë për përgatitjen e planit vjetor të mbështetjes financiare”, thuhet në raport.
Sipas Auditorit, mospërgatitja e planit vjetor rritë rrezikun që mjetet buxhetore të shfrytëzohen për qëllime tjera të paplanifikuara dhe në mosarritjen e objektivave të komunës në këtë fushë.
Në anën tjetër, drejtori për Buxhet dhe Financa në Komunën e Podujevës, Fatlum Osmani, ka thënë se opinioni i Auditorit për Podujevën është pozitiv dhe se këtë vlerësim e kanë marrë pak komuna sivjet.
“Komuna e Podujevës për vitin 2021 e ka një raport pozitiv të Auditorit gjeneral të Kosovës, për dallim nga viti 2020 i cili ka qenë një raport i negativ i Zyrës së Auditorit. Të gjeturat e Auditorit janë kryesit të gjetura teknike, të cilat janë paraqitur në raportin e Auditorit gjeneral dhe për këto kemi krijuar një plan të veprimit, të cilat gjatë vitit 2022 të mos jenë as këto të gjetura të zyrës së Auditorit”, ka theksuar drejtori për Buxhet dhe Financa, Fatlum Osmani.