Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Atiq e shpall veten fitues të zgjedhjeve në Mitrovicën e Veriut

Lëvizja Vetëvendosje ka shpallur fitoren në Mitrovicë të Veriut, në zgjedhjet lokale të mbajtura të dielën në veri të Kosovës. Ishte kandidati i Vetëvendosjes, Erden Atiq, i cili ka shpallur fitoren sipas tij me mbi 65% të votave në këtë komunë.

Ai në një dalje publike ka thënë se do të jetë kryetar i të gjithë banorëve edhe të atyre që e votuan e edhe i atyre që nuk e votuan.

“Kemi fituar. Unë si kandidat kam dalë fitues i këtyre zgjedhjeve. I falënderoj të gjithë ata që më kanë votuar dhe ata që nuk më kanë votuar, do të jem kryetar për të gjithë. Na presin punë të mëdha përpara. I ftoj qytetarët që të kenë besim në institucionin e komunës me mua në krye”, ka thënë Atiq, raporton KosovaPress.

Në zgjedhjet e sotme në katër komunat veriore kanë votuar 1567 qytetarë nga gjithsej 45 mijë qytetarë me të drejtë vote. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëri të ditur se procesi zgjedhor për zgjedhjet e parakohshme lokale përfundoi pa incidente. Në përgjithësi, dalja në zgjedhje ishte 3.47 për qind. Zgjedhjet u bojkotuan nga Lista Serbe.

Pos Mitrovicës së Veriut, VV-ja ka shpallur fitoren edhe në Leposaviq. Në Zveçan e Zubin-Potok, sipas burimeve të KOHËS, kanë fituar kandidatët e Partisë Demokratike të Kosovës.