LAJMET E MBRËMJES

KQZ: LVV-ja fiton në Mitrovicë të Veriut e Leposaviq, PDK-ja në Zveçan e Zubin-Potok

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur të martën rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të jashtëzakonshme lokale, të mbajtura të dielën në katër komunat veriore të Kosovës. Ato e konfirmojnë fitoren e kandidatëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Mitrovicë të Veriut dhe në Leposaviq, si dhe të atyre të Partisë Demokratike të Kosovës në Zveçan e Zubin-Potok

Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës janë dy subjektet politike që kanë marrë numrin më të madh të votave në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale në katër komunat veriore.

Sipas rezultateve përfundimtare të shpallura të martën nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, kandidatë të Vetëvendosjes kanë fituar Komunën e Mitrovicës së Veriut dhe atë të Leposaviqit, përderisa ata të PDK-së Zveçanin dhe Zubin-Potokun.

“Në Mitrovicën e Veriut kemi LVV-në me kandidatin Erden Atiq, me 553 vota apo 66.9 për qind. PDK me Taulant Kelmendin 193 vota apo 23.4 për qind dhe Iniciativa Qytetare Mitrovica me Betim Osmanin me 80 vota apo 9.7 për qind. Në Komunën e Leposaviqit, Lëvizja Vetëvendosje me kandidatin Lulzim Hetemi i mori 100 vota apo 73.5 për qind. Partia Demokratike e Kosovës me kandidaten Albulena Behluli-Hetemi ka marrë 34 vota apo 25 për qind”, tha kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi.

Krahas garës për kryetar të Komunës, LVV-ja në Leposaviq ka fituar edhe 15 vende në kuvendin komunal.

E në Zveçan, ku të dielën është votuar edhe për përbërjen e Asamblesë Komunale, PDK-ja siguroi edhe 11 përfaqësues.

“Në Komunën e Zubin-Potokut, PDK-ja me kandidatin Izmir Zeqiri, me 197 vota me 52.2 për qind. Dhe LVV-ja me kandidatin Flatron Hasani me 180 vota apo 47.7 për qind… Në Komunën e Zveçanit kemi PDK-në me kandidatin Ilir Peci me 114 vota apo 59 për qind. LVV me kandidatin Fetah Peci me 72 vota apo 37.3 për qind. Dhe Sllaxhana Pantoviq me 7 vota apo 3.6 për qind”, tha Radoniqi.

Radoniqi ka bërë të ditur se palët e pakënaqura me rezultatin kanë kohë deri të mërkurën në orën 14 që të paraqesin ankesa.

Procesi elektoral i së dielës në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin-Potok dhe Leposaviq është zhvilluar pa incidente, por me numër të ulët të qytetarëve të dalë në votim. Zgjedhjet janë caktuar pas tërheqjes së serbëve të veriut nga institucionet e Kosovës, në pakënaqësi me vendimin e Qeverisë për konvertimin në RKS të targave ilegale, që janë lëshuar nga Serbia.