Ndryshimi i strukturës së sistemit arsimor në Kosovë, përmes rikthimit të modelit 4+4+4, është diskutuar në takimet për hartimin e Strategjisë së re për Arsim 35+. Por, kjo ide ende nuk është konkretizuar në ndonjë vendim. Derisa në SBASHK kanë thënë se propozimi ka marrë edhe përkrahje, njohësi i arsimit, Xhavit Rexhaj, ka paralajmëruar se reforma të tilla nuk duhet të bëhen pa analiza të mirëfillta dhe planifikim paraprak
Rikthimi i sistemit arsimor 4+4+4 është një nga idetë që po diskutohet në kuadër të hartimit të Strategjisë së re për Arsim 35+ nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.
Gjatë takimeve të ministrit të Arsimit, Hajrulla Çeku, nëpër komunat e Kosovës, me mësimdhënës, drejtorë të shkollave dhe përfaqësues të SBASHK-ut e këshillave të prindërve, është diskutuar edhe mundësia e ndryshimit të strukturës së sistemit arsimor.
Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka thënë se rikthimi i sistemit 4+4+4 është trajtuar vetëm si ide, pa ndonjë vendim konkret.
“Ministri e ka cek se aty këtu ka pasur ide të këtilla, jo të ministrit. Ministri vetëm e ka hap si çështje çfarë nëse bëhet dhe çfarë nëse nuk bëhet? Kishte ide që e përkrahën sistemin 4+4+4 që nënkupton se mësuesi të punoj që nga klasa e parë deri në të katërtën pastaj mësimdhënësit lëndor 5-8 dhe pastaj shkolla e mesme mos të jetë 3 por 4 vjeçare d.m.th. ajo klasa e 9 të kaloj andej. Ishte si ide që hasi në një pjesë të përkrahës por kishte të tjerë që ishin skeptik se mos është ndonjë lëvizje tepër e madhe dhe si do të ndikojë”, ka thënë Jasharaj.
Jasharaj ka thënë se në takimet për hartimin e strategjisë ka kërkuar që dokumenti të ndërtohet mbi propozimet e mësimdhënësve dhe nevojat konkrete të sistemit arsimor në Kosovë.
Edhe
“Pajtohen” SBASHK-u me Ministrinë e Arsimit
“Strategjia do të provohet të jetë e jona. Nuk do të kemi kopje të strategji të vendeve të zhvilluara, por të punohet një strategji e jona me shumicën e atyre ideve që janë dhënë në këto 7 takime. Unë besoj që shumica e propozimeve të qëlluara të mësimdhënësve që lidheshin me sistemin lëndor, fëmijët me nevoja të veçanta, kërkoheshin më shumë mësues mbështetës, kishte kërkesa të definohej më mirë çerdhet dhe para fillorët”, ka deklaruar ai.
E njohësi i arsimit, Xhavit Rexhaj, ka vlerësuar se reformat në arsim janë të nevojshme. Megjithatë, ka paralajmëruar se ndryshimet strukturore nuk duhet të bëhen pa analiza të mirëfillta dhe planifikim paraprak.
“Ne ende paguajmë çmim në numrin e mësimdhënësve për shkak të ristrukturimit të fundit ku hyri klasa e 9 të dhe u largua klasa e 13-të. Ende jemi duke e paguar çmimin e tyre. Ende jemi duke paguar çmimin e kontratave kolektive. Krejt këto veprime të bëra pa mendim. Unë besoj që edhe Komuna e Prishtinës do të paguajë çmim të mësimit terëditor që bëhet me mode e me teka. Prandaj unë them që Kosova nuk duhet me bo reforma me mode e me teke por vetëm reforma të planifikuara mirë me koncept - dokument edhe analizë të mirëfilltë edhe me pilotim së paku 1 vjeçar. Nuk ka ma, nuk guxon Kosova me bo reforma se ju ka tek dikujt, se i ka ra ndërmend dikujt një ide e mirë ose se e ka vizituar një shkollë në Estoni”, ka thënë Rexhaj.
KOHËS nuk i është përgjigjur Ministria e Arsimit e pyetur lidhur me mundësinë e rikthimit të sistemit 4+4+4 dhe hapat e mëtejmë për këtë çështje.
Edhe
Rexhaj: Premtimet në arsim sipërfaqësore, vërehet se s’e kanë përnjëmend
Takimet për hartimin e Strategjisë së re për Arsim 35+ kanë nisur më 9 korrik.
Strategjia synon të përqendrohet në katër shtylla kryesore: edukimin dhe parandalimin e hershëm, përmirësimin e arsimit parauniversitar përmes zhvillimit të shkollës gjithëditore, fuqizimin e arsimit dhe aftësimit profesional në funksion të tregut të punës, si dhe ristrukturimin e arsimit të lartë.