Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Atentat ndaj prokurorit të Durrësit, mbeten të plagosur ai dhe dy të tjerë

Prokurorit të Durrësit, Arjan Ndoja, i është bërë atentat nga persona ende të paidentifikuar duke e lënë atë të plagosur, bashkë me dy persona që gjendeshin në automjetin me të cilin udhëtonte.

Përveç prokurorit Ndoja, të plagosur kanë mbetur shoferi i tij Andi Maloku dhe Aleksander Laho, apo siç thirret ndryshe Landi Muharremi.

Prokurori Ndoja mësohet se ka marrë dy plumba dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën nga plagët që ka marrë. Po ashtu edhe Aleksandër Laho i plagosur ndodhet jashtë rrezikut për jetën në spitalin e Durrësit, ndërsa Andi Maloku është dërguar në spitalin e Traumës në Tiranë në gjendje të rëndë dhe në rrezik për jetën.

Ngjarja ka ndodhur në aksin rrugor Durrës-Tiranë në afërsi të mbikalimit të Shkozetit, rreth orës 16:30 të pasdites së premte.

“Ne aksin rrugor Durrës-Tiranë në afërsi të mbikalimit të Shkozetit, rreth orës 16:30, në afërsi të vendit të quajtur ‘Mbikalimi i Shkozetit’ kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të mjetit me targa AA 333 ZD, e për pasojë janë plagosur shtetasit Aleksandër Laho , 48 vjeç, Arjan Ndoja , 44 vjeç dhe Andi Maloku , 30 vjeç. Shtetasi Andi Maloku është nisur për mjekim të specializuar në Spitalin e Traumës në Tiranë, ndërsa dy shtetasit e tjerë ndodhen në Spitalin Rajonal Durrës, jashtë rrezikut për jetën. Policia e Durrësit është vënë në ndjekje të autorëve, dhe në të gjitha akset rrugore që lidhen me Durrësin janë ngritur pika kontrolli. Për zbardhjen e ngjarjes është ngritur menjëherë një grup i posaçëm hetimor nga Departamenti i Policisë Kriminale, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Durrës dhe Drejtoria Vendore e Policisë Durrës. Policia e Shtetit fton këdo që mund të ofrojë informacion në ndihmë të hetimit të shpejtë të ngjarjes të telefonojë falas në numrin 112”, thuhet në njoftimin e Policisë së Durrësit.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)