Tash e katër vjet nuk po mbahen seancat e rigjykimit në katër raste për krime lufte në Mitrovicë. Për tri prej tyre i akuzuar është Zoran Vukotiq, ndërsa për një tjetër Sylejman Selimi. Shoqëria civile, por edhe një prej mbrojtësve të të akuzuarve, thonë se kjo zvarritje i dëmton familjet e viktimave dhe shkel të drejtat e të akuzuarve
Gjykata Themelore e Mitrovicës nuk ka mbajtur asnjë seancë në katër vjetët e fundit për katër raste lidhur me krime të luftës, përfshirë edhe për vrasjen e një 13-vjeçari më 1999 në Vushtrri, për të cilën Prokuroria Speciale po e akuzon Zoran Vukotiqin.
Ka mbi pesë vjet që janë ngritur aktakuzat për rastet Vukotiq 1, 2 dhe 3, si dhe për rastin “Drenica 1”, ku Sylejman Selimi akuzohet për keqtrajtim të civilëve.
Amer Alija, koordinator në Fondin për të Drejtën Humanitare në Kosovë, thotë se me bllokimin e trajtimit të këtyre lëndëve dëmtohen familjarët e viktimave, por edhe shkelen të drejtat e të akuzuarve.
“Pas përfundimit të mandatit ekzekutiv të EULEX-it në qershor 2018, kompetencat ekzekutive janë transferuar te gjyqësori vendor…Më shumë se katër vjet apo pesë vjet asnjë seancë nuk është mbajtur, asnjë seancë nuk është mbajtur në këto raste që janë duke u mbajtur pezull në Gjykatën Themelore në Mitrovicë… Janë duke u shkelur të drejtat e të akuzuarit e po ashtu edhe familjarët e viktimave nuk kanë dijeni se çfarë po ndodh me këto procedura. E kemi një zhagitje të panevojshme të procedurës. Këshilli Gjyqësor duhet të ndërmarrë masa”, ka thënë Alija.
Artan Qerkini, avokat mbrojtës i Sylejman Selimit në rastin “Drenica 1”, ka thënë se të mbrojturit të tij me këtë po i shkelen të drejtat në gjykim në afat të arsyeshëm.
“Janë caktuar dy seanca dhe janë anuluar shkaku i COVID-it. Prapë është shtyrë për shkak se i është caktuar një të gjyqtari, që më pas ka dalë në pension. Çdo person e ka të drejtën të gjykohet në afat të arsyeshëm. Duke e ditur që rasti është që nga viti 2013, natyrisht që shkelen të drejtat për gjykim brenda një afati të arsyeshëm”, ka deklaruar Qerkini.
Avokati mbrojtës i Vukotiqit, Nebojsha Vllaiq, Gjykata Themelore në Mitrovicë, si dhe Këshilli Gjyqësor nuk u janë përgjigjur pyetjeve të KOHËS lidhur me mosmbajtjen e seancave.
Për rastin “Vukotiq 1”, në janar të vitit 2019, Gjykata e Apelit e ka vërtetuar pjesërisht aktgjykimin e shkallës së parë dhe lënda është kthyer në rigjykim në Mitrovicë lidhur me pikën 1 të aktakuzës, që përfshin krimet e luftës, si vrasje brutale, sjellje çnjerëzore, terror e plaçkitje ndaj karvanit të personave në Studime të Epërme e të Poshtme mes datave 2 dhe 3 maj 1999. Për rastin “Vukotiq 2”, lënda është kthyer në tërësi në rigjykim nga Apeli në janar të vitit 2019. Në këtë rast, Zoran Vukotiq akuzohet për vrasjen e katër civilëve shqiptarë dhe keqtrajtimin të 18 civilëve të tjerë në Vushtrri më 5 maj 1999.
Po më 2019, rasti “Vukotiq 3”, që ka të bëjë me vrasjen e Burim Mulit 13-vjeçar, është kthyer në rigjykim nga Apeli.
Për këtë rast, sipas FDH-së, është mbajtur vetëm një seancë në dhjetor të vitit 2017. Në qershor të 2019-s, sipas Fondit, është kthyer në rivendosje nga Supremja edhe rasti i Sylejman Selimit lidhur me akuzën për keqtrajtim të një personi në mbajtje në Likovc.