Deti është i qetë, retë rrinë varur në qiell thua se janë gozhduar aty, një barkë si fantazmë lundron mbi sipërfaqen e qetë drejt anijes sikur të ishte e tërhequr nga një konop i padukshëm dhe vjen për të më marrë. Jemi vetëm dy këtu që hipim në barkë: një burrë që viziton këtë vend të mjekrave për t’ua shitur brisqet Gillette dhe unë.
Aty ku nis terra firma është një kasolle e vogël prej druri me një oxhak si të vizatuar, prej të cilit tymi del drejt qiellit, sikur ta kishin vizatuar me vizore. Është ora shtatë e mëngjesit; malet e drunjta, të gjelbra, të zhveshura, bojë kaltër çeliku; kasollja, sikur edhe shumë atraksione këto ditë, ka një libër mysafirësh; mbi libër rri një njeri në uniformë të zezë, duke mbështjellë një cigare, dhe ky është polici kufitar shqiptar. Mjeshtër i alfabetit, por i pamësuar me shkrimin, ai rri aty duke shpenzuar kohën e të arriturve duke kontrolluar me kujdes të dhimbshëm pasaportat e tyre. Një shofer i përkulur levantin po mbahej në pritje në një “Ford” të cilin do ta ngasë derisa polici të kryejë punën. Ia ndërpres studimin duke i ofruar që ta shënojë vetë emrin tim.
Më pas, në një re të dendur prej pluhuri, në mes të zhurmës së pëlcitjes së vazhdueshme të gomave, i lëkundur lart e poshtë nga kërcitjet autentike të “Fordit”, më morën në rrugë drejt Tiranës. Çdo herë që goma duhet të ndërrohet, unë dal, shikoj derisa pluhuri të qetësohet dhe peizazhi shfaqet sërish, malet me spektër ngjyrë vjollce, livadhet të ngjyrosura dyfish gjelbër, qiellin me një të kaltër të qëndrueshme, një qiell si prej tekstili, një qiell pa rrudha, një hark i tendosur, i hekurosur me kujdes. Punëtorët riparojnë rrugën. Ka gjithmonë dy që janë bashkë dhe, sikur fëmijët në kopsht, ata mbledhin grumbuj të vegjël zalli me lopatat e tyre të vogla apo me duart e tyre dhe e hedhin në vraga dhe vrima, hedhin ca gurë mbi, e lagin gjithë këtë me ujë nga një kënaçe dhe e shtypin me këmbët e zbathura. Sa po kalon “Fordi” ynë ata mund ta nisin lojën e tyre sërish... (Më gjerësisht lexoni në KOHA Ditore)