Arbëri

Arrijnë në Kosovë fletëvotimet për zgjedhjet e së dielës, afro 10% më pak se numri i votuesve

Kanë arritur në Kosovë fletëvotimet për zgjedhjet e 14 shkurtit, të cilat janë shtypur në Slloveni.

Lajmin për KOHËN e ka konfirmuar zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi sipas të cilit ato do të shpërndahen nesër në depot e Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve.

“Mund t’ju konfirmoj se fletëvotimet kanë arritur në Kosovë. Të shtunën do të shpërndahen në depot e Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve, ndërsa të dielën në mëngjes për në 888 qendra të votimit të cilat kanë gjithsej 2 mijë e 382 vendvotimet”.

Elezi ka thënë se votues me të drejtë vote për këto zgjedhje janë 1 milion 794 mijë e 862 votues, ndërsa janë shtypur 1 milion e 617 mijë e 200 fletëvotime.

“Bazuar në Listën Përfundimtare të Votuesve, votues me të drejtë vote për këto zgjedhje janë 1 milion 794 mijë e 862 votues, ndërsa janë shtypur 1 milion e 617 mijë e 200 fletëvotime përfshirë fletëvotimet rezervë. Rrjedhimisht i bie se janë shtypur 177 mijë e 662 fletëvotime më pak se numri i votuesve apo në përqindje 9,89 % më pak”, ka thënë ai.

Në zgjedhjet e 14 shkurtit janë 143 mijë e 6 votues më pak se në Zgjedhjet për Kuvend të 6 tetorit 2019, pasi nga kjo listë janë larguar 122 mijë e 421 votues të cilët posedojnë vetëm dokumente të identifikimit të lëshuara nga UNMIK-u, si dhe për shkak të largimit të 11 mijë e 86 të cilët janë konfirmuar se janë larguar nga skema pensionale për shkak të vdekjes.