Kameramani i portalit “Paparaci”, Jetmir Muji është arrestuar të mërkurën.
Sipas Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), i cili ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të Mujit, ai “ishte duke xhiruar për një raport rreth shkollimit të vajzave të presidentes Osmani, kur është ndaluar nga mbrojtja e afërt e saj, i është konfiskuar kamera dhe i është kërkuar që të fshijë materialet”.
“AGK-ja është njoftuar nga portali Paparaci, se kameramani Jetmir Muji është arrestuar dhe aktualisht gjendet në stacionin policor Qendër në Prishtinë. AGK-ja është e alarmuar dhe thellësisht e shqetësuar me këtë arrestim dhe ndalim arbitrar dhe i bën thirrje Policisë së Kosovës, që ta lirojë menjëherë Mujin”, thuhet në reagimin e AGK-së.
AGK-ja e ka konsideruar arrestimin të paligjshëm, arbitrar dhe abuzim nga ana e Policisë së Kosovës.
“Ky është një sulm i papranueshëm kundër lirisë së medias dhe të drejtës së qytetarëve për informim”, thuhet në reagim.
Lirohet kameramani, Jetmir Muji
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka njoftuar se është liruar kameramani, Jetmir Muji.
Përmes një komunikate për media, AGK-ja ka thënë se ai është mbajtur nga Policia pa asnjë shpjegim.
“AGK-ja është njoftuar se pas disa orësh të mbajtjes së jashtëligjshme në Stacionin Policor Qendër, kameramani Jetmir Muji është liruar. Pasi ka dhënë një deklaratë dhe është mbajtur pa ndonjë shpjegim, një prokuror ka urdhëruar lirimin e Mujit. Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dënon fuqishëm arrestimin dhe mbajtjen arbitrare të Mujit për disa orë në Polici, dhe kërkon përgjegjësi nga ana e Policisë së Kosovës për abuzim me detyrën nga ana e pjesëtarëve të saj”, thuhet në njoftim.
Presidentja Vjosa Osmani, ka reaguar pas arrestimit të kameramanit të portalit “Paparaci”, Jetmir Muji, që ndodhi të mërkurën derisa sipas AGK-së, “ishte duke xhiruar për një raport rreth shkollimit të vajzave të presidentes Osmani”.
Reagimit të saj Osmani i është referuar si reagim “ndaj përndjekjes së vazhdueshme, të kundërligjshme e të rrezikshme që media të caktuara u bëjnë vajzave të mia të mitura”.
Ajo ka akuzuar siç u është referuar “të ashtuquajtur gazetarë”, për rrezikim të sigurisë së vajzave të saj, edhe në kohën kur ato ishin në një shkollë publike, e edhe tani.