Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Arifi dhe Sinani e akuzojnë njëri-tjetrin si të shantazhuar nga Serbia

Kryetari i Luginës së Preshevës, Shqiprim Arifi, e ka akuzuar Ardita Sinanin këshilltaren e kryeministrit Albin Kurti, se është e shantazhuar "nga bashkëpunëtorët e saj në Beograd".

Ai ka shkruar në Facebook të mërkurën se do të hulumtohej rasti i Sinanit, ajo s'do të mund të dekretohej këshilltare e Kurtit.

“Këshilltarja e Kryeministrit, Ardita është e shantazhuar nga bashkëpunëtorët e saj në Beograd e sidomos nga Vulini. Po të hulumtojnë agjensionet e inteligjencës dhe sigurisë se Republikë së Kosovës, ajo nuk do ta merrte certifikatën e sigurisë personale dhe rrjedhimisht nuk do të mund të dekretohej si këshilltare e kryeministrit”, ka shkruar kreu i Luginës së Preshevës, derisa ka publikuar një dokument ku pretendon se Sinani është e akuzuar për korrupsion në Gjykatën e Lartë në Nish, për një skandal mbi 100 mijë euro.

Akuza të njëjta ka pasur edhe e apostrofuara ndaj Arifit. Këshilltarja e Kurtit, Ardita Sinani, ka thënë askush s'mund ta shantazhojë, por që "Arifi është i shantazhuar".

Sinani i ka thënë KOHËS se Arifi e kishte paraqitur në Prokurorinë e Nishit “pasi e kishte ndërprerë bashkëqeverisjen”, por s’ka aktpadi.

Edhe Sinani i kundërpërgjigjet Arifit: Me sulmet ndaj Kosovës fsheh dështimet si kryetar Arbëri Sinani i kundërpërgjigjet Arifit: Me sulmet ndaj Kosovës fsheh dështimet si kryetar

“Nuk është e vërtetë që jam e akuzuar nga gjykata serbe për korrupsion, nuk kam asnjë aktpadi. Në Prokurori në Nish më ka paraqitur Shqiprim Arifi pasi kemi ndërprerë bashkëqeverisjen. Ajo është hedhur poshtë. Nuk mundet askush të më shantazhojë. Gjatë qeverisjes sime asnjëherë nuk kam pas koalicion me listën serbe. Ai ka pasur dy herë koalicion-shumicën me listën serbe, ku edhe ka qenë i varur dhe i shantazhuar nga ta”, ka thënë Sinani.

Për fotografinë e shpërndarë nga Arifi ku Sinani shihet me shefin e BIA-s serbe, Aleksandar Vulin, Sinani është shprehur se daton nga 2017-a dhe publikohet “për qëllime propaganduese nga Arifi”.

“Foto e shkëputur dhe shpërndarë për qëllimet propaganduese nga ai në Facebook është nga një ngjarje e datës 22.05.2017 gjatë shënimit të 2-vjetorit të funksionimit të kampit të refugjatëve në Preshevë. Aty unë kam qenë e ftuar nga Komisariati i Lartë për Refugjat në cilësinë e kryetares së komunës pasi që asokohe Presheva nga ata ishte zgjedhur komuna që i trajtoi më së miri migrantët në Rutën e Ballkanit. Në atë solemnitet përpos pushtetit lokal, delegacionin e të cilin e kam kryesuar unë si kryetare e komunës, kanë qenë të pranishëm edhe Karla Hershi, koordinatore UN për Serbi, ambasadorët e SHBA-së, Britanisë së Madhe, Japonisë, Gjermanisë, Norvegjisë, BE-së si dhe ministritë nga qeveria e Serbisë që kanë ndihmuar këtë qendër pranuese të migrantëve”, ka thënë Sinani.

Ajo ka shtuar se Vulini në atë kohë ishte ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Sinani ka shkruar në Facebook se Lugina e Preshevës është pa udhëheqje, duke theksuar se ai "e ka humbur krejtësisht legjitimitetin moral e politik".

“Jo shef i BIA-s siç është munduar të paraqes në mënyrë propaganduese kjo faqe në Facebook. Andaj, unë u hedh kategorikisht poshtë këtë një pretendim të tillë i cili qëllim ka dezinformimin e opinionin publik dhe dëmtimin e reputacionit tim dhe kryeministrit Kurti”, ka shtuar Sinani.

 

Edhe Arifi: Në Luginë po na përçan dikush me emrin Albin Kurti Arbëri Arifi: Në Luginë po na përçan dikush me emrin Albin Kurti

“Në dokumentin që po ndajë me qytetarët e Republikës së Kosovës, shihet qartë se Ardita Sinani ka një padi për korrupsion pranë gjykatës së lartë të Serbisë në Nish, për skandalin e vjedhjes së mbi 100 mijë eurove nga buxheti i Komunës së Preshevës nga fondi për bujqësi dhe ndërmarrësi. Sidoqoftë, shpresoj që Qeveria e Republikës se Kosovës nuk i ofron asaj informacione të larta shtetërore sepse do të përfundojn tek Vulini 100%”, ka përfunduar Arifi.