Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Sinani: Arifi i dirigjuar dhe i kontrolluar, zgjedhjet - zgjidhja e vetme për Preshevën

Ardita Sinani

Këshilltarja e kryeministrit Albin Kurti për Luginën e Preshevës, Ardita Sinani, ka thënë se zgjedhjet janë zgjidhja e vetme për Komunën e Preshevës.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, Sinani e ka akuzuar kryetarin aktual të kësaj komune, Shqiprim Arifi për keqpërfaqësim dhe për bashkëpunim me Beogradin.

“Ka kaluar mbi një muaj nga e mbajtja e të ashtuquajturës ‘seancë’ e Kuvendit Komunal. Seancë kjo e mbajtur të dielën e 23 korrikut në ora 8:00 të mëngjesit, e patransmetuar në asnjë medium. Seanca ishte ftuar me iniciativën e këshilltarëve të partisë/pushtet – APN për seancë të jashtëzakonshme me qëllim të shqyrtimit të situatës politike në Preshevë. Errësira mediale që karakterizoi këtë “seancë” sigurisht që i paraprinë marrëveshjeve të errëta të Shqiprim Arifit me politikën e parapolitikën e nëntokës së Beogradit”, ka shkruar ajo.

Sipas Sinanit, Arifi është i shantazhuar, dirigjuar dhe i kontrolluar.

“Prandaj edhe duket se po i frikësohet përballjes me qyetarët e Komunës së Preshevës. Prandaj edhe artificialisht me seanca të turpshme si ajo e 23 korrikut po ia shtyen jetën politike vetes dhe shantazhuesve të tij, atyre që po e dirigjojnë e kontrollojnë. Shumë shpejt këta pushtetarë do të marrin ‘shpërblimin’ nga qytetarët e Komunës së Preshevës. Nuk do të kenë edhe shumë mundësi për zgjatje të mandatit me seanca të ftuara për ‘t’u diskutuar situata politike në Preshevë’”, ka shkruar ajo.