Arbëri

APK-së i dhurohen 6 vetura dhe pajisje për luftimin e aktiviteteve ilegale në pyje

Gjashtë vetura fushore, pajisje për monitorim të pyjeve, kamera, GPS dhe dylbi i janë dorëzuar të martën Agjencisë së Pyjeve të Kosovës (APK) nga Bashkimi Evropian dhe Ambasada suedeze.

Kjo është bërë nëpërmjet programit “Mbështetje në fuqizimin e menaxhimit të qëndrueshëm dhe shumëqëllimor të pyjeve për të përmirësuar jetesën në vendet rurale dhe për të adresuar ndryshimin klimatik në Kosovë”, që po zbatohet nga organizata FAO.

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka thënë se ky program do të ndikojë në evitimin e dëmtimit të pyjeve.

“Veturat që janë në dispozicion dhe të gjitha këto pajisje shumë të rëndësishme, do të jenë efikase për kryerjen e punëve në teren dhe do të jenë në funksion të interesimit dhe objektivave tona që kemi si ministri dhe si Qeveri, që nënkupton menaxhimin më të mirë të pyjeve dhe në një të ardhshme është një synim yni që të kemi një menaxhim më të mirë të pyjeve dhe të evitojmë dëmtimin e tyre”, tha Peci.

Miratimi i Ligjit të ri për Pyje dhe Strategjia për pyje, sipas ambasadorit të Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, është parakusht për mbrojtjen e pyjeve.

“Kosova po përballet me sfida të degradimit mjedisor që lidhen me ndotjen e ajrit, ujit, tokës dhe biodiversitet të theksuar dhe shpyllëzim. Mbrojtja e resurseve pyjore duhet të jetë e një përparësie më të veçantë, përfshirë edhe me fokusin e vendeve të tjera”, tha Westerlund.

Udhëheqësi i Seksionit për Bashkëpunim në Zyrën e BE-së në Kosovë, Johannes Stenbaek Madsen, ka kërkuar që Kosova të zhvillojnë përgjegjësi kolektive me qëllim të mbrojtjes së pasurive natyrore.

“Programi do t’i adresojë mangësitë në aspektin e kapacitetit njerëzor dhe teknik të Agjencisë Pyjore të Kosovës me qëllim të luftimit të prerjeve ilegale dhe aktiviteteve të tjera ilegale në pyje. BE-ja pret nga ky program që të arrijë rezultate të mëdha përkitazi me mbrojtjen e pyjeve veçanërisht duke e pasur parasysh domethënien dhe vlerën e pyjeve në aspektin e mbulueshmërisë, kur dihet se gjysma e territorit të Kosovës është e mbuluar me pyje”, tha Madsen.

Programi synon fuqizimin e kapaciteteve të Agjencisë së Pyjeve për mbikëqyrjen më të mirë të shfrytëzimit të resurseve dhe për pajisjen e personelit me teknologji të reja për luftimin e aktiviteteve ilegale në pylltari.