Gjykata e Apelit, ka refuzuar ankesën e ministres Rozeta Hajdari, ndërsa ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin ishte dënuar me 200 euro gjobë lidhur me aksidentin ku ishte goditur me veturë një fëmijë.
Me aktgjykimin e 23 tetorit 2023, Themelorja po ashtu kishte obliguar Hajdarin që të paguajë shumën prej 100 euro për mendimin e ekspertit të komunikacionit dhe 900 euro për super-ekspertizë, ndërsa 50 euro për ekspertizë mjeko-ligjore, raporton “Betimi për Drejtësi’.
Por, Apeli sipas aktgjykimit të 15 dhjetorit 2023 të siguruar nga “Betimi për Drejtësi“, refuzoi si të pabazuar ankesën e ministres Hajdari të paraqitur ndaj vendimit të shkallës së parë, kurse u hodh poshtë si e palejuar ankesa e përfaqësuesit me autorizim të të dëmtuarës I.B., avokatit Florim Shefqeti.
Ministrja Hajdari, përmes avokatit Alban Makolli, kishte ushtruar ankesë me pretendimet për shkelje esenciale të dispozitave të procedurës së kundërvajtjes, aplikimit të gabuar të ligjit material, vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, si dhe vendimit për shpenzimet e procedurës kundërvajtëse.
Sipas ankesës, pretendohej se është bërë vlerësim i gabuar i fakteve për shkaktarin dhe shkaqet e aksidentit.
Edhe
Rozeta Hajdari dënohet me 200 euro gjobë për aksidentin ku goditi një fëmijë
ar“Nuk janë përshkruar veprimet e ndërmarra të miturës I.B, dhe nuk është përshkruar fare pjesëmarrja e këmbësorit tjetër i cili nuk ka pësuar lëndime. Gjykata e Shkallës së Parë, gabimisht ka vërtetuar se si shkaktare e lëndimit ka qenë e pandehura duke e gjetur të njëjtën përgjegjëse për kryerjen e veprës kundërvajtëse…”, citohet të thuhet në ankesë.
Sipas aktgjykimit të Apelit, në ankesën e ministres Hajdari, thuhet se e mitura I.B dhe këmbësori jo i lënduar, është dashur t’i japin përparësi mjeteve që kalojnë në rrugë, në ketë rast ministres Hajdari, pasi kanë pasur përparësi të plotë (ngase I.B dhe këmbësori tjetër kanë qenë duke kaluar jashtë vendkalimit për këmbësorë) dhe me shkeljen e kësaj dispozite juridike, rezulton se I.B ka qenë shkaktare e aksidentit dhe jo Hajdari.
Gjithashtu, ministrja Hadari ishte ankuar edhe për obligimin që t’i paguajë shpenzimet e super-ekspertizës dhe ekspertizës së komunikacionit, me arsyetimin se super-ekspertiza nuk është nxjerrë me propozimin e saj por me urdhrin e gjykatës, andaj shpenzimet shtesë nuk mund t’i atribuohen asaj.
Veç këtyre, në ankesë ishte kërkuar që çështja të kthehet në rigjykim dhe ishte propozuar që të bëhet dalja në vendin e ngjarjes, që të evidentohen të gjithë pjesëmarrësit në aksident dhe roli i tyre në shkaktimin e aksidentit.
Në anën tjetër, përfaqësuesi me autorizim i të dëmtuarës I.B, avokati Florim Shefqeti, ishte ankuar se shkalla e parë nuk ka argumentuar se mbi çfarë baze ligjore nuk i ka shqyrtuar fare faktet dhe provat e dorëzuara nga përfaqësuesi i të dëmtuarës. Po ashtu, ka konsideruar se është shkelur e drejta në gjykim të drejtë dhe të paanshëm, që ka të bëjë me mungesë arsyetimi adekuat të një vendimi gjyqësor.
Po ashtu, pala e dëmtuar në ankesë ka pretenduar po ashtu se ka mangësi serioze lidhur me sanksionin, me arsyetimin se të pandehurës i është shqiptuar gjoba nën minimumin e paraparë, se gjykata nuk iu ka referuar fare rrethanave rënduese, andaj edhe dënimi është joreal. Me këtë, pala e dëmtuar ka kërkuar që aktgjykimi i ankimuar të ndryshojë, duke i pushuar vlefshmëria e patentë shoferit dhe t’i shqiptohet masa e ndalimit të drejtimit të automjetit.
Edhe
Mbrojtja e së miturës: Vetura e Hajdarit s’kishte gjurmë të frenimit në momentin e aksidentit
Gjithashtu, avokati Shefqeti kishte paraqitur edhe përgjigje ndaj ankesës së Hajdarit, duke propozuar që të refuzohet si e pabazuar.
Mirëpo, Apeli ka konstatuar se ankesa e palës së dëmtuar, është hedhur si e palejuar.