Florim Shefqeti, mbrojtësi i të miturës që u aksidentua me veturë nga ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka deklaruar se ekspertiza e kryer nga Policia e Kosovës tregon se vetura që po e ngiste ministrja s’kishte gjurmë frenimi kur kishte ndodhur aksidenti.
Ai ka deklaruar të mërkurën se kontestuese mbetet çështja që ministres i ishte penguar pamja gjatë vozitjes, por se “vetë e pandehura ka deklaruar se fëmijët i ka parë duke dalë nga marketi”.
Sipas Shefqetit, të mërkurën në seancën gjyqësore që u mbajt e mbyllur, janë marrë në pyetje ekspertët, fillimisht nga ana e avokatit të ministres Hajdari e pastaj edhe nga mbrojtja e viktimës.
“Fillimisht ajo që ekspertët kanë deklaruar ka qenë ajo që ju e keni parë në ekspertizë sepse gjithherë ekspertët në parim mbështesin ekspertizën që ata e kanë konstatuar. Normalisht edhe ne kemi pasur vërejtjet dhe sugjerimet në raport me moskonstatimin e gjendjes teknike të automjetit dhe ajo që është thënë nga ekspertët kjo ka qenë detyrë e Policisë së Kosovës që të bëhet kontrolle teknike e jashtëzakonshme në rastet kur ka aksidente. Pra, në këtë rast siç edhe është konstatuar nga raporti i Policisë nuk ka pasur fare gjurmë të frenimit dhe kjo është konstatuar edhe nga ekspertët në ekspertizën e tyre”, ka deklaruar ai.
Sipas avokatit, në lokacionin ku është shkaktuar aksidenti është një distancë fizike e mjaftueshme pëer t’u vërejtur nga drejtuesja e veturës dhe për të reaguar.
Pas seancës së mbajtur të mërkurën s’ka pranuar të deklarohet as ministrja Hajdari e as mbrojtja e saj.
Seanca e radhës do të mbahet të premten në orën 14:00.