Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Anulohet prokurimi për digjitalizimin e shërbimeve në administratën e Prizrenit

Foto: Koha

Komuna e Prizrenit ka anuluar aktivitetin e prokurimit për digjitalizimin e shërbimeve dhe proceseve të punës në administratë, shkruan sot Koha Ditore.

Këtë veprim e ka ndërmarrë pas vendimit të Organit Shqyrtues të Prokurimit për anulimin e këtij prokurimi, meqenëse paneli i “gjykatës së tenderëve” ka konstatuar se gjatë procedurës ka pasur shkelje të dispozitave ligjore. Në kuadër të shkeljeve, pos të tjerash, është konstatuar se Komuna nuk ka krijuar kushte për trajtim të barabartë të operatorëve ekonomikë, duke vendosur specifikacione që kanë favorizuar prodhues specifikë.

Njoftimi për anulimin e të gjitha pjesëve të këtij aktiviteti të prokurimit është publikuar të enjten në sistemin elektronik të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik. "Vendimi mbi anulimin e procedurës së prokurimit bazohet në vendimin e OSHP-së nr: 851/19", thuhet në këtë njoftim të përgatitur nga Zyra e Prokurimit të Komunës së Prizrenit.

Ndërkaq në vendimin e sipërpërmendur të OSHP-së, në pikën e parë bëhet e ditur se është aprovuar si e bazuar ankesa e operatorit ekonomik PBC ShPK.

"Anulohet njoftimi për kontratë lidhur me aktivitetin e prokurimit me titull 'Digjitalizimi i shërbimeve dhe proceseve të punës në administratën komunale në Prizren', i iniciuar nga Komuna e Prizrenit dhe anulohet në tërësi ky aktivitet i prokurimit. Ndërsa nëse edhe më tutje Autoriteti Kontraktues ka interes për të vazhduar me këtë aktivitet të prokurimit, të njëjtin mund ta ritenderojë konform dispozitave të Ligjit për prokurimin publik", shkruan në pikën e dytë të vendimit të OShP-së.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në gazetën “Koha Ditore”)

Artikuj të ngjashëm