Arbëri

Anulohet kontrata për magjistralen Prishtinë-Mitrovicë

Është anuluar kontrata për segmentin Milloshevë-Mitrovicë në kuadër të magjistrales Prishtinë-Mitrovicë, ka mësuar KOHA.

Ministria e Mjedisit ka arsyetuar shkëputjen e kontratës me “mospërmbajtje” të kushteve nga dy operatorët ekonomikë.

Kontrata në fjalë për rrugën M2, ka qenë për shtrimin e rrugës në gjatësi prej rreth 10 kilometrash.

Rruga Prishtinë-Mitrovicë ka më shumë se 10 vjet që ka nisur së ndërtuari, por ende nuk ka përfunduar.

KOHA ka provuar të marrë sqarime shtesë nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, por në ministri kanë thënë se së shpejti do të dalin me njoftim zyrtar.

Dhe tek më vonë, mbrëmjen e së mërkurës, zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka dalë me një njoftim rreth kësaj çështjeje. Ai ka thënë se kontraktori “Pevlaku & Patishta” nuk ka përmbushur obligimet për të cilat kishte nënshkruar.

“Shkëputja e kontratës është bërë bazuar në raportin e Auditorit, me ç’rast punëdhënësi, përkitazi autoriteti kontraktues (MMPHI) dhe financuesit - bankat ndërkombëtare (SFD dhe OFID) pas shumë tentativave dhe takimeve me Kontraktorin për të gjetur zgjidhje dhe të tejkalojnë sfidat me të cilat përballeshin, Kontraktori “Pevlaku & Patishta", nuk ka përmbushur obligimet/angazhimet e tij të përcaktuara në Minutat e Takimit, klauzola që kishin rënë dakord dhe nënshkruar më 23 Nëntor 2021, nenet e “Aneks Marrëveshjes së Kontratës” me numër MI. 10598, të nënshkruar më 23 dhjetor 2021, si dhe legalizimin e nën-kontraktorit ilegal të angazhuar që nuk lejohet sipas kontratave ndërkombëtare që janë të bazuara në FIDIC”, ka shkruar ai në Facebook.

{gallery}