Arbëri

Anulohen konkurset për drejtorë, spitali i Ferizajt qe katër vjet me u.d. - i Mitrovicës qe dy

Spitalet rajonale të Ferizajt dhe Mitrovicës po vazhdojnë të funksionojnë pa drejtorë të zgjedhur me konkurs të rregullt. Pozitat drejtuese tash e një kohë  mbulohen me ushtrues detyre përtej afatit maksimal të lejuar me ligj. Konkursi i shpallur nga SHSKUK-ja për këto dy pozita është anuluar për herë të dytë. Shoqëria civile e quan shqetësuese këtë praktikë

Arianita Hoti

Shërbimi Spitalor e Klinik Universitar i Kosovës ka anuluar për herë të dytë konkursin për zgjedhjen e drejtorëve në dy spitale rajonale –të Ferizajt dhe Mitrovicës.

Të dy institucionet shëndetësore udhëhiqen me ushtrues detyre për më shumë se një vit, aq sa lejon ligji.

Burbuqe Kastrati nga Lëvizja Fol ka thënë se është krijuar një praktikë shqetësuese, ku pas përfundimit të mandatit njëvjeçar të ushtruesve të detyrës institucionet publike po emërojnë një tjetër ushtrues detyre për të njëjtën pozitë, vetëm për të vazhduar mbulimin formal të funksionit.

“Sapo përfundon afati ligjor prej një viti, nuk po zgjidhet një drejtor i rregullt, por thjesht po zëvendësohet një ushtrues detyre me një tjetër. Kjo nuk e bën procesin më të ligjshëm, përkundrazi – e dëmton rëndë administratën publike dhe qeverisjen demokratike. Është një praktikë që lë hapësirë për ndikime politike në pozitat drejtuese”, ka thënë Kastrati.

Kastrati ka theksuar se në shumë institucione po vazhdohet të shkelet ligji pasi në pozita të larta po udhëhiqen me u.d.

Ndërsa avokati Ardian Bajraktari thotë se, sipas Ligjit për zyrtarët publikë, institucionet janë të obliguara që sapo të mbetet një pozitë e lirë, të ndërmarrin pa vonesa veprime për plotësimin e saj me konkurs të rregullt.

“Kategoria e zyrtarëve publikë dhe shërbyesve civilë, sipas Ligjit për Zyrtarët Publikë, mund ta ushtrojë një pozitë me statusin e ushtruesit të detyrës për një periudhë maksimale deri në një vit. Është detyrë dhe përgjegjësi e institucioneve që në momentin kur mbetet një pozitë e lirë të ndërmarrin sa më shpejt veprimet e nevojshme për plotësimin e saj me konkurs të rregullt”, ka thënë Bajraktari.

KOHA ka dërguar pyetje në SHSKUK më 11 qershor, lidhur me tejkalim të afateve dhe se kur do të hapen konkurset e reja. Por ky institucion ka kthyer vetëm një përgjigje të shkurtër, ku thuhet se “së shpejti do të hapet konkursi i ri”, pa dhënë sqarime të tjera.

Spitali i Ferizajt të drejtohet nga një ushtrues detyre tash e gati katër vjet, ndërsa ai i Mitrovicës qe dy vjet.