Arbëri

Anulimi i gjobave të shqiptuara nga Policia kërkohet në Komisionin për Qeverisje Lokale

Anulimi i të gjitha gjobave të shqiptuara nga Policia e Kosovës, për qytetarët që nuk kanë respektuar masat kundër koronavirusit, është kërkuar në Komisionin për Qeverisje Lokale, Administratë Publike, Zhvillim Rajonal dhe Media.

Ky komision këtë të mërkurë ka mbajtur takimin e parë, që nga konstituimi i Kuvendit, ku kanë raportuar përfaqësues të Asociacionit të komunave, për menaxhimin e pandemisë, raporton KOHA.

Kryetari i këtij komisioni, Mërgim Lushtaku, pas përfundimit të takimit, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës e Ministrinë e Shëndetësisë, për mosbashkëpunim me komunat.

Por, megjithatë nga Asociacioni i komunave, është thënë se situata me pandeminë është menaxhuar mirë.

Në këtë takim, është diskutuar edhe mundësia e realizimit të një pakoje të veçantë për rimëkëmbjen ekonomike në komuna.

Ndërkohë, që këtë të martë, është konfirmuar vetëm një person me COVID-19, e që është numri më i vogël që nga fillimi i pandemisë.

Që nga marsi, kur janë konfirmuar rastet e para me COVID-19, në Kosovë e deri tani janë mbi 985 raste, prej tyre 769 janë shëruar, e 29 persona kanë vdekur.