Nehat Koçinaj nga Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave ka thënë se angazhimi qytetar në rastet e emergjencave në Kosovë, lë për të dëshiruar.
Duke folur pas vërshimeve të mëdha në shumë qytete të Kosovës, Koçinaj në “Express Intervistën” në KTV ka thënë se qytetarët jo rrallë herë “presin me duar në xhepa reagimin e dikujt tjetër”.
“Angazhimi i qytetarëve lë shumë për të dëshiruar, fatkeqësisht. Në 20 vjet, qytetari jo rrallëherë me duar në xhepa ka pritur reagimin e dikujt tjetër për jetën sigurinë apo familjen e tij. S’duhet të jetë. Çdo qytetar duhet të jetë pjesë aktive e reagimit. Si të bëhet ai pjesë e reagimit. Me siguri edhe agjencia duhet të kontribuojë me punë. Janë të rralla momentet kur qytetarët i qasen situatës si pjesë aktive në emergjencë. Jo rrallëherë presin shërbime nga dikush tjetër. Në vërshime s’ka qenë shumë ky rast, sepse kërcënon jetën aty për aty, sidomos me komunat Vushtrri Gjakovë e të tjera, janë evakuuar e kanë bërë mirë duke shpëtuar jetë, por duhet të angazhohen edhe për të shpëtuar edhe të mirën materiale”, ka thënë ai.

Ai ka fajësuar edhe komunat për ndërtimet e shumta pa plan të cilat ka thënë se do të bëjnë që me pasojat e tyre “të merremi në periudhat që vijnë”.
Ka thënë se Kosova është larg nivelit infrastrukturor për të trajtuar të gjitha rreziqet e mundshme.