Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
TEMPUS

Koçinaj: Kosova ka kapacitete profesionale të kërkim-shpëtimit

Nehat Koçinaj nga Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave (AME), në emisionin “Tempus” në KTV, tha se Kosova ka kapacitete profesionale të kërkim-shpëtimit, megjithatë mbështetja e institucioneve lë për të dëshiruar.

“Lusim Zotin të mos na ndodhë sikurse ndodhi me atë intenzitet (në Turqi dhe Siri), sikurse e ceku sizmiologu nga instituti përkatës. Ne falë rrethanave ose pozitës gjeografike, po shpresoj edhe po iu besoj fjalëve të ekspertit se nuk presim të goditemi nga një tërmet i intensitetit sikurse ishte në Turqi. Por, na duhet të mendojmë për tërmete goxha me intenzitet më të vogël si të përballemi. Nëse na ndodhim ne, dhamë dëshmi që edhe në Turqi reaguam, ndihmuam Turqinë në këtë rast me kapacitetin e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Kapacitet i cili është i profilizuar, i trajnuar dhe certifikuar për fushën e kërkim-shpëtimit urban. Sepse, kërkim-shpëtimi në raste të tërmeteve nuk është i lehtë, jo rrallëherë kapacitetet e vendeve mund të ofrojnë, por nuk e kanë të përgatitur të përmbushin misionin e tyre, do të thotë, të shpëtojnë jetë por të shpëtojnë edhe vetveten”, deklaroi Koçinaj.

Ai shtoi se Kosova ka ndërtuar konceptin, modelin e reagimit dhe kapacitetet në të cilat mbështetet janë të dislokuara në nivelin lokal.

“Ne i referohem gjithmonë si kapacitet i zjarrfikësve dhe shpëtimit, përfshirë këtu Policinë e Kosovës dhe të tre reaguesit- Shërbimin Mjekësor Emergjent, të cilët reagojnë paralelisht në secilin incident kudo që ndodh, sepse janë prezent në lokalitetet bazike”, theksoi Koçinaj.

Ai tha se investimi i shtetit në Agjencinë e Menaxhimit Emergjent lë për të dëshiruar.