Një anëtar i Ambasadës së Britanisë në Kosovë është shpëtuar në Malet e Sharrit.
Ai është shpëtuar nga Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës. Siç ka njoftuar Ambasada e Britanisë, anëtari i saj kishte pësuar një aksident.
“Ne mund të konfirmojmë se një anëtar i Ambasadës së Britanisë është përfshirë në një aksident në Malet e Sharrit. Aktualisht po merr tretman mjekësor”, është thënë nga Ambasada e Britanisë në faqen në Facebook.
Për rastin ka njoftuar edhe Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor. Është treguar se KFOR-i ka ndihmuar që me helikopter të transportohej i lënduari.
Ka njoftuar se informatat për një aksident malor në zonën e qendrës skitare të Brezovicës i kishte marrë rreth orës 14:20.
"Fatmirësisht është arritur që të kontaktohet i lënduari (shtetas i huaj) dhe i njëjti ka dërguar koordinatat e vendodhjes së tij. Me anë të telefonit është kontaktuar edhe personi i dytë që ka qenë në aktivitetin bjeshkatarisë së bashku me të lënduarin, por nuk kishte patur çasje vizuele te i lënduari shkaku i terrenit malor.Të dytë janë këshilluar në telefon për të qëndruar të qetë dhe iu është treguar për elemente të tjera të sigurisë. Në një koordinim të shpejtë me policinë dhe qendrën skitare është mundësuar transportimi i shpejtë i shpëtuesve malor me teleferik në pikën më të lartë, dhe nga aty tre shpëtues malor të ShKShMK-së, një policë i Kosovës dhe një shpëtues i qendrës skitare të Brezovicës, kurse skuadra tjetër e ShKShMK ishin nisur për t'u ngjitur drejt të lënduarit me pajisje për ndihmë dhe evakuim tokësor. I lënduari është lokalizuar shumë shpejtë në orën 16:25 në vendin e quajtur shkëmbi i kuq masivi i Piribregut/Malet e Sharrit,i cili fatkeqësisht kishte rrëshqitur në faqe malore rreth 450 m, dhe pa humbur kohë i është dhënë ndihma e parë. Pas një koordinimi të vazhdueshëm me institucionet e Kosovës dhe KFOR-in kemi kërkuar që te bëhet evakuimi nga ajri, shkaku i natyrës së lëndimeve. Pa vonuar shumë, një helikopter i KFOR-it ka mbëritur në koordintat e dërguara nga anëtarët tanë dhe i lënduari ështe evakuar deri te helikopteri dhe është transportuar deri në kujdesin mjekësor", thuhet nga Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor.