Arbëri

Tërmet në Kosovë

Termet

Një tërmet është ndier në Kosovë rreth orës 22:00 të martën. 

Sipas Qendrës Sizmiologjike, tërmeti ishte 4.6 ballë. 

Sizmiologu Shemsi Mustafa ka thënë se shkalla e tërmetit ka pasur potencial për rrezik për qytetarë dhe dëme. 

“Tërmeti në fjalë është ndier dukshëm nga qytetarët e Kosovës. Ky sizmicitet kishte potencialin të rrezikon qytetaret dhe shkakton ndonjë dëm material për shkak të forcës se lart, njëherësh këto tërmete dëshmojnë për zonën sizmogjene të Prizrenit, që është zonë aktive, ashtu edhe sipas llogaritjeve dhe studimeve të paraqitura me Hartën e Rrezikut Sizmik për Kosovë”, shkroi ai në Facebook.

Mustafa ka njoftuar tej se bazuar në të dhënat nga shërbimet sizmike tërmeti ndodhi në orën 22:09 me magnitudë 4.8 shkallë Rihter në  në zonën Prizren-Shtërpcë, dhe thellësi hipoqendrore 5 km.

Dridhje janë ndier edhe në Maqedoninë e Veriut dhe Serbi. 

Qytetarë në disa qytete janë parë se kanë dalë jashtë objekteve të banimit, përfshirë ata në Prishtinë.

Për tërmetin ka shkruar edhe drejtori për Siguri dhe Emergjenca në Komunën e Prishtinës, Lulzim Fushtica. 

Ai ka thënë se nuk ka raportime për dëme serioze apo të lënduar, ndërsa u ka bërë thirrje qytetarëve ta ruajnë qetësinë. 

Ai ka thënë se institucionet janë duke monitoruar situatën. 

"Institucionet e sigurisë dhe emergjencave janë në gatishmëri të plotë. Çdo informacion i ri do të komunikohet në kohë reale”, ka shkruar Fushtica. 

Fushtica ka dhënë edhe udhëzime se çfarë duhet bërë. 

“Qëndroni të informuar vetëm nga burime zyrtare; Nëse ndjeni lëkundje të tjera, qëndroni larg dritareve, rafteve dhe objekteve që mund të bien; Në ambiente të mbyllura, strehohuni nën një tavolinë të fortë ose pranë një muri mbajtës; Pas përfundimit të lëkundjeve, dilni me qetësi në hapësira të hapura, duke shmangur panikun dhe grumbullimet; Mos përdorni ashensorët. Kujdes shtesë: Kontrolloni me kujdes banesat për dëmtime të mundshme; Ndihmoni fëmijët, të moshuarit dhe personat me nevoja të veçanta; Telefononi shërbimet emergjente vetëm në raste të domosdoshme, për të mos bllokuar linjat”, ka shkruar Fushtica. 

E Federata e Sportit Shkollor të Kosovës ka njoftuar se të gjithë nxënësit pjesëmarrës në programin “Drejt Malit” në Qendrën e Skijimit në Brezovicë janë të sigurt dhe në gjendje të mirë shëndetësore. 
“Federata e Sportit Shkollor të Kosovës njofton se pas lëkundjeve sizmike të ndodhura sonte në rajon, të gjithë nxënësit pjesëmarrës në programin “Drejt Malit” në Qendrën e Skijimit në Brezovicë janë të sigurt dhe në gjendje të mirë shëndetësore. Ekipi i programit është prezent në çdo moment pranë nxënësve, së bashku me pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe strukturat përgjegjëse të qendrës së skijimit. Janë kryer verifikimet e nevojshme në hapësirat e akomodimit dhe aktivitetit, dhe nuk është evidentuar asnjë rrezik apo incident. Situata po monitorohet vazhdimisht dhe Federata është në koordinim të plotë me institucionet përkatëse për të garantuar sigurinë maksimale të nxënësve dhe stafit. I sigurojmë prindërit dhe opinionin publik se siguria dhe mirëqenia e nxënësve mbeten prioritet absolut, dhe çdo informacion i ri do të komunikohet në mënyrë zyrtare”, është njoftuar nga Federata.