Analisti politik nga Tirana, Ben Andoni, ka thënë se vizita e Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken të enjten në Shqipëri është paralajmërim për situata jo të mira për Kosovën.
Në “Interaktiv” të KTV-së, Andoni ka thënë se për këto situata të vështira Blinkeni ka paralajmëruar nëpërmjet kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.
“Pak orë më parë z.Rama e ka dhënë një mesazh që nuk besoj të jetë krejt i rastësishëm që Shqipëria do t’i gjendet Kosovës me çdo lloj mjeti, në çdo lloj mënyre, që do të thotë se z.Blinken ka ardhur të na tregojë që neve na presin situata aspak të mira. Ai nëpërmjet z.Rama ka ardhur që të na paralajmërojë për këto situata të vështira të Kosovës dhe jo më kot nga zyrtarët e ndryshëm të Departamentit të Shtetit ka gjithmonë e më shumë ashpërsi për qeveritarët në Kosovë për ta kuptuar këtë situatë”, ka thënë ai.
Andoni më tej ka thënë se Blinkeni është treguar më i kujdesshëm me qëndrimin e tij ndaj Kosovës krahasuar me gjuhën e përdorur nga zyrtarët e tjerë amerikanë ditët e fundit.
“Ka pasur një zhvillim shumë interesant në tre ditët e fundit sa i përket Kosovës. Z.Hovenier sot ka qenë shumë i ashpër, ndërkohë që dy ditë më para zëvendëssekrekretari i Departamentit të Shtetit ka qenë jashtëzakonisht i ashpër me qëndrimin e tij. Po them që të gjitha nivelet e kanë përcaktuar qëndrimin ndaj Kosovës. Ndërkohë që në Tiranë z.Blinken është treguar i kujdesshëm për një fakt. Kosova është një shtet tjetër. Nuk mund ta sulmosh, ta këshillosh apo të shprehesh me fjalë të ashpra kur je në një vend tjetër”, është shprehur ai.
Ai ka thënë se rëndësia e Kosovës për SHBA-në është shumë e madhe, por pesha e saj dhe e Shqipërisë përball problematikave të SHBA-së në botë është shumë e vogël.
Edhe
Andoni: Kosova ka mbështetje më të madhe nga Amerika sesa Shqipëria
“Rëndësia e Kosovës është shumë e madhe për SHBA-në sepse është investim mirëfilli i tyre. Pesha specifike e Kosovës dhe Shqipërisë bashkë është aq e vogël përball problematikave që SHBA-ja ka në botë”, është shprehur ai.